Ngjarje

Situata pas reshjeve, rrugët nacionale të kalueshme, Valbona pa energji elektrike

Pas motit të keq me reshje intensive të shiut, të cilat shkaktuan përmbytje në disa fshatra,sidomos në  Tropojë, situata raportohet të ketë qenë e qetë gjatë natës ndërsa ditën e sotme(18 shtator) rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht.

Aktualisht pa energji elektrike është Njësia Administrative e Fierzës dhe fshati Valbonë, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e territorit të bashkisë Tropojë është e mbuluar me energji elektrike.

Në orët e para të mëngjesit kanë mbërritur në zonat e prekura nga përmbytjet forcat e Emergjencave Civile si dhe është dërguar nga bashkia një fadromë për të pastruar rrugën Tragetet-Dushaj, po ashtu dhe një tjetër është dërguar në fshatin Degë.

Në Belsh pasi uji vërshoi dje në disa rrugë pranë pedonales së qytetit, sot nuk raportohet për probleme te tjera.

Ditën e djeshme, vendi u përfshi nga reshje në formë stuhie e rrebeshi, të cilat krijuan problematika kryesisht në disa qytete si Durrës, Lushnjë, Belsh e Tropojë.

Pamjet e djeshme nga përmbytjet në Tropojë

Nga moti i keq u shtynë me 8 orë lundrimet nga Durrësi në Bari.

Më kritike situata paraqitej në Tropojë ku për shkak të sasisë së të reshjeve është raportuar për deme në rrugë, banesa e toka bujqësore në disa fshatra.

Sot moti parashikohet të jetë pa reshje shiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë