Reshjet e shiut të orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në disa rrugë të qyteteve të vendit, ku uji ka arritur në disa centimetra.
Situata më e rënduar paraqitet në Vlorë dhe Shkodër.
Në Vlorë, niveli i ujit ka arritur deri në 50 cm. Mjetet e vogla lundruese dhe ato te peshkimit janë të pezulluara.
Probleme më të shumta ka në rrugën e Portit, por edhe zona e Skelës. Autoritetet portuale kanë njoftuar për pezullimin e lundrimit për varkat dhe mjetet e peshkimit.
Ndërsa transporti ndërkombëtar i udhëtarëve ka vijuar normalisht. Dallgëzimi në det të hapur është 6 ballë.
Sipas sinoptikanëve reshjet do të vazhdojnë, intensiteti do të jetë i shtuar, ndërsa gjatë fundjavës zonat malore do të kenë edhe reshje dëbore. Temperatura do të ulen me disa gradë nën zero.
Problematike paraqitet situata edhe në qytetin e Shkodrës ku dhjetëra hektarë janë nën ujë prej disa ditësh dhe reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm, e kanë përkeqësuar situatën.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Elbasan.
Prefektura e Elbasanit ka bërë me dije se gjatë mbrëmjes në të gjithë qarkun ka pasur reshje të dendura në shiut.
Si pasojë, janë shënuar rënie inertesh në disa akse rrugore, ndërsa në disa fshatra ka mungesë energjie.
ARRSH: Ja akset ku duhet pasur kujdes
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë një informacion në lidhje me situatën e rrugëve, që paraqesin problematika për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin tonë.
Sipas ARRSH-së, gjatë natës ka pasur reshje me intensitet në të gjithë territorin, duke bërë që në disa rrugë të ketë probleme, kjo thuhet se nuk ka penguar qarkullimin e mjeteve.
Ndërkohë që bë Shëngjergj ka pasur rrëshqitje dherash.
“Është punuar për rënien e inerteve, në aksin e Valbonës.
Në Skuraj-Burrel tek aktivizimi i rrëshqitjes në km 14+ 600. Në km 87, në fshatin Vrishë, aksi Fushë Arrëz-Kalimash. Po punohet në Shëngjergj për rrëshqitjen e një masivi me zhavorishte. Në Llogara ka pasur reshje breshëri me intensitet shume të lartë, është punuar nga kontraktori për pastrimin”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Ndërkohë, ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregohen të kujdesshëm për shkak të reshjeve, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.