Politike

“Reporterët pa kufij”: Gazetarët kërcënohen. Rruga e gjatë për BE

Rruga e Shqipërisë drejt BE-së duket e largët, sipas “Reporterëve pa Kufij”. Organizata e njohur për mbrojtjen e lirisë së medieve ka publikuar të enjten Indeksin botëror të lirisë së medias, në të cilin Shqipëria ka një rënie me 7 vende, duke u renditur në vendin e 82-të.

Duke iu referuar vendit tonë, “Reporterët pa Kufij” thonë se politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i quajnë gazetarët kazan dhe prodhues lajmesh të rreme.
Organizata thekson së sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedentë në 2018.

“Gazetarët iu nënshtruan fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore, që synojnë t’i frikësojnë dhe t’i frenojnë ata nga investigimi i korrupsionit”, shkruan “Reporterët pa Kufij”. Kryeministri ka propozuar një ligj që ka për qëllim të forcojë kontrollin e shtetit mbi mediat elektronike dhe të kufizojë aksesin tek lajmet dhe informimi”, shton raporti.

Organizata sjell në vëmendje edhe raportin e përbashkët të publikuar me BIRN, në mars 2018, duke theksuar se standardet rregullatore të medias po manipulohen në favor të interesave të qeverisë dhe pronësia e mediave televizive është përqendruar në duart e pak biznesmenëve të mëdhenj.

“Kjo ka krijuar një situatë në të cilën vetë-censura është gjerësisht e përhapur dhe 80% e gazetarëve nuk kanë besim për të ardhmen e tyre profesionale” – thuhet në raport.

Përsa i përket Kosovës, ajo renditet në vendin e 75-të. Sipas kësaj organizate, situata politike në Kosovë është bërë gjithnjë më e tensionuar dhe e paqëndrueshme.

“Mungesa e transparencës së qeverisë për marrëveshjen me Serbinë dhe çështjet e raporteve me Europën ka ngjallur reagime të fuqishme nga opinioni dhe gazetarët” thotë raporti. “Media të caktuara kanë kritikuar politikat nacionaliste të presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Qeveria në anën tjetër, thekson raporti, ka akuzuar gazetarët se janë tradhtarë ose “simpatizantë të serbëve” thekson ai.

Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit 2019 tregon se si në nivel botëror urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Sipas raportit, numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media.

Norvegjia renditet e para në Indeksin 2019 për të tretin vit, ndërsa Finlanda ka marrë vendin e dytë, ku dy reporterëve që mbulojnë krimin e organizuar u është dashur të jetojnë nën mbrojtje të përhershme policore. Shtetet e Bashkuara kanë rënë tre vende në Indeksin e këtij viti, për shkak të sulmeve të presidentit Donald Trump ndaj mediave amerikane.

Kush ka frikë nga gazetarët në Shqipëri?

Puna e gazetarëve është një vaksinë kundër injorancës dhe lajmeve të rreme, e nevojshme për mendimin e lirë dhe zhvillimin e “antitrupave” kundrejt censurës. Por është gjithashtu një pilulë që nuk kapërdihet nga të gjithë, veçanërisht nga politikanët dhe të fuqishmit që kanë diçka për të fshehur. Gazetria bën të mundur zbulimin e fakteve të fshehura dhe nxjerrjen në dritë të “episodeve” të varrosura në kujtesë. Ata i kanë bërë të mundur që të nxjerrin më shumë se njeherë nga varri të vertëtën, sidomos në vende si Shqipëria, e cila është kthyer në një vend që duket se ka frikë ta njohë realitetin.

Kryeministri Edi Rama

Raporti i “Reporterëve pa Kufij” vjen pasi zyra e kryeministrit Edi Rama, ka propozuar ndryshimin e dy ligjeve, të cilat parashikojnë regjistrimin e mediave online dhe kontrollin e përmbajtjes së tyre për një sërë arsyesh, si lajmet e njëanshme, lajmet që dëmtojnë moralin publik dhe artikujt që mund të nxisin vepra penale. Sipas këtyre ndryshimeve, mosrespektimi i ligjit do të rezultonte me gjoba deri në 1 milion lekë dhe madje do të çonin edhe në mbylljen e faqeve.

Ekspertët dhe organizatat e medias kanë shprehur prej kohësh shqetësime rreth shkeljeve të mundshme të kushtetutës, rrezikut të censurës dhe mosrespektimi i lirisë së shprehjes në internet.   

Vetë kryeministru Rama është ankuar në mënyrë të përsëritur për “shpifjet” ndaj qeverisë dhe ka sulmuar mediat duke përdorur një shumëllojshmëri epitetesh, duke i quajtur disa prej tyre kazanë. Në tetor, ai deklaroi se po përgatiste një “paketë anti-shpifje” që do të përfshinte “gjoba të rënda” ndaj mediave online.  

Por Flutura Kusari, një eksperte e lirisë së informimit paralajmëron në një prononcim për BIRN se propozimet bien në kundërshtim me praktikat e vendeve demokratike.“Në shumicën e vendeve demokratike, mediat online janë të vetë-rregulluara,” tha Kusari. “Propozimi për të kontrolluar mediat në internet nga shteti përbën një përpjekje për të kontrolluar përmbajtjen e botimeve të tilla,” shtoi ajo.

Edhe ekspertët e medias në seancën dëgjimore i kërkuan autoriteteve të heqin dorë nga propozimet. Ligjet e propozuara mund të përbëjnë censurë, thonë kritikët, sepse e gjithë përmbajtja e një faqe interneti mund të ndalohet nëse vetëm një pjesë ose një lajm konsiderohet si i paligjshëm.

Flutura Kusari

Në tetor, OSBE-ja dhe Reporterët pa Kufij e kritikuan Ramën për kërkimin e regjistrimit të portaleve dhe kërcënimin për mbylljen e tyre.

“Dënojmë vendimin e qeverisë shqiptare që detyron disa media online të regjistrohen, ditëve ose të mbyllen,” shkruanin Reporterët pa Kufij, disa ditë më parë. “Edi Rama kërcënon lirinë e shtypit dhe faqet e internetit të pavarura të cilat shpesh sigurojnë investigime mbi korrupsionin dhe lidhjet qeverisë shqiptare me krimin e organizuar”.

Theodoros Alexandridis, një ekspert për të drejtat e njeriut, thotë se propozimi shkon kundër rekomandimeve të raportuesve të OKB-së për mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe shprehjes. Ai theksoi se komentimi në mënyrë anonime në internet është një e drejtë e pranuar gjerësisht në të gjitha vendet europiane.

“Kërkesa për t’u regjistruar në QKR nuk i shërben asnjë qëllimi të caktuar dhe në mënyrë efektive synon të parandalojë që dikush të komentojë apo raportojë në një artikull në mënyrë anonime”, tha ai. “Gjithashtu Rama nuk ka dhënë asnjë dëshmi bindëse se sistemi ekzistues (paraqitja e një ankese në prokurorit dhe gjurmimi i një IP-je) nuk funksionon,” tha Alexandridis për BIRN. “Raportuesit e OKB-së u bëjnë thirrje të gjitha shteteve të sigurohen që individët të mund të shprehin veten në mënyrë anonime në internet”, tha ai, duke shtuar se një e drejtë e tillë mund të kufizohet vetëm në situata të jashtëzakonshme. Megjithatë kryeministri këmbëngul se të gjitha faqet e internetit duhet të regjistrohen si subjekt tregtar në autoritetet tatimore,ose të përballen me dënime.

Nuk ka dyshim se gazetaria shqiptarë duhet t’u përngjajë më shumë asaj italiane dhe të nxjerrë në sipërfaqe fakte dhe histori që njerëzit në pushtet do të donin të ishin zhdukur , apo gazetarisë amerikane e cila është gjithmonë në mbrojtje të shoqërisë, duke hetuar dhe kontrolluar përmes raporteve zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë. Gazetarët amerikanë hetojnë në lidhje me trafikimin e paligjshëm, pavarësisht se ai mund të përfshijë biznesmenë apo guvernatorë. Ata publikojnë afera korruptive sepse kanë mbështetjen e lexuesve dhe opinionit publik. Gazetria e pavarua një rol  themelor i një shoqëri liberale. Por sot shumë gjëra po ndryshojnë për keq jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve perëndimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë