Politike

Reportazhi i RAI 3, Bardhi: Rama ka frikë, po refuzon interpelancën. Çuçi: Nuk është urgjente edhe vetë RAI e shtyu

Edhe pse konferenca e kryetarëve e rrëzoi, në seancën parlamentare të së enjtes, Gazment Bardhi, risolli në vëmendje kërkesën e grupit parlamentar demokrat për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me përmbajtjen e reportazhit të RAI 3 dhe reagimet e mëpasshme të tij.   

“Në fakt ju po e bëni rrugë që kërkesat për interpelancë të grupit të PD një pjesë i keni futur në sirtar, ndërsa për ato me kryeministrin as nuk e njoftoni në seancës plenare. Keni detyrimin të njofton seancën plenare për çdo kërkesë për interpelancë që vjen. Në përputhje me rregulloren, Grupi i PD ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Rama duhet të ishte pikë kryesore e rendit të ditës, për ndërhyrjet skandaloze që ka bërë në lirinë e medias përmes presioneve ndaj një televizioni shtetëror italian. Sa herë thirret për llogaridhënia Edi Rama ju të gjithë refuzoni sepse ju ka dhënë mesazhin se ka frikë të vijë në Kuvend. E kuptoj se keni dhe frikë t’i përmendi emrin, ju lutem frikërat mbajini për vete. Kuvendi nuk ka frikë as ta thërrasë në interpelancë as t’i kërkojë llogari, sikundër kryeministri nuk duhet të ketë frikë të vijë të japë llogari”, tha Bardhi në fillim të seancës të së enjtes. Ndaj tij ka reaguar kreu i deputetëve socialistë.

“Nuk është çështje për interpelancë sipas përcaktimeve të rregullores dhe aq më pak pastaj se është urgjente se vetë programi i RAI nuk ka urgjencë meqë vetë e ka shtyrë pjesën e dytë të emisionit. Pra është njoftuar në seancën e kaluar është thënë qëndrimi  konferencës së kryetarëve, është marrë vendimi në parlament që nuk ka vend për një interpelancë urgjente”, tha Blendi Çuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë