Libra

Rënia e të lexuarit, sfida tjetër pas pandemisë

“Sfida tjetër pas pandemisë është ajo e edukimit”, tha drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, gjatë takimit “Muze, Histori & Lexim”, mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar, ku të pranishëm ishin mësues të shkollave të mesme të kryeqytetit .

“Leximi është një prioritet kombëtar. Ne jemi duke punuar për të hartuar politikat e duhura për të nxitur leximin te të rinjtë. Por politikat tona nuk mund të implementohen pa punën dhe përkushtimin tuaj. Baza e edukimit nis pikërisht në shkolla, ndaj në këtë proces të rëndësishëm që ka të bëjë me të ardhmen ne duhet të jemi bashkë”, u shpreh Bardhyli, duke iu drejtuar mësuesve të pranishëm.

Mësuesit e pranishëm vunë theksin te vështirësitë që pandemia ka krijuar në mësimdhënie, duke u përballur me sfidat e reja të teknologjisë. Por pavarësisht këtyre pengesave ata vunë theksin në ruajtjen e takimeve të klubeve të leximit në gjimnazet e Tiranës që edhe pse në formë virtuale kanë funksionuar këto kohë.

“Kemi pasur bashkëpunim me Muzeun Historik, për tema të historisë. Dua të theksoj se në shkollën tonë zhvillohet e premtja e leximit dhe më duket një nismë e mirë për të nxitur nxënësit, përpos vështirësisë nga pandemia”, u shpreh mësuesja e historisë nga gjimnazi “Ismail Qemali”. Ndërsa, mësuesja e artit pamor nga shkolla “Mihal Grameno”, shprehu dëshirën për të zgjeruar gamën e aktiviteteve që lidhen me risitë e reja.

“Jam e hapur për aktivitete që lidhin leximin, ilustrimin dhe historinë si komponentë të rëndësishëm të artit”, u shpreh ajo.

Drejtori i Muzeut, Dorian Koçi, në fjalën e tij ndërsa vlerësoi punën e mësuesve në këtë vit të vështirë pandemie, tha se është i hapur për të zgjeruar aktivitetet me shkollat që afrojnë nxënësit me historinë dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

“Ky vit siç e dimë ka qenë një vit i vështirë për të gjithë ne dhe unë doja t’ju falënderoja për punën e vështirë në këtë vit pandemie. Arsyeja e këtij takimi është se si mundet që qendrat tona, qoftë Muzeu apo Qendra e Librit që të ndihmojmë me politikat tona në fushën e historisë dhe leximit, mekanizma të cilat i afrojnë nxënësit me shkollën dhe dijen. Ne kemi tre programe tona që u dedikohen kryesisht nxënësve të shkollës, siç është ‘Arkeologu i vogël’, ‘Një ditë me kuratorin’ apo dhe ‘Muzeu im’”, tha ndër të tjera drejtori i këtij institucioni.

Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve “Edukimi përmes kulturës”.

Programi “Edukimi përmes kulturës” është një marrëveshje e nënshkruar mes Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Kulturës që në vitin 2016.

Programi “Edukimi përmes Kulturës” është në përputhje të plotë me Konventën e UNESCO-s për mbrojtjen dhe zhvillimin e larmisë së shprehjeve kulturore, e cila përfaqëson standardet kryesore ndërkombëtare të Politikave Kulturore në Europë. Ky program nxjerr në pah rolin e rëndësishëm të kulturës dhe artit në fushën e arsimit, pasi edukimi përmes kulturës “nxit vetëdijen kulturore dhe shprehjes, krijimtarinë dhe diversitetin, si edhe si kontribuon në zhvillimin njerëzor, social-kulturor në mirëqenien dhe kohezionin social”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë