Futboll

Rënia e Mesit, për herë të parë në 10 vjet mund ta mbyllë nën 40 gola

Të gjitha perandoritë, herët a vonë, shemben. Disa e bëjnë papritur, të tjerat në mënyrë më të lehtë, me një fazë të paevitueshme rënieje. E njëjta gjë vlen edhe për kampionët e sportit, të cilët avash-avash e ulin nivelin, kur mosha kalon. Ky duket se është edhe rasti i Lionel Mesit, argjentinasit që sapo ka mbushur 33 vjeç dhe për herë të parë në më shumë se 10 vjet rrezikon ta mbyllë sezonin me më pak se 40 gola të shënuar.

Numrat janë fantastikë për këdo, por jo për “pleshtin”, një lojtar që gjatë karrierës në një sezon ka shënuar edhe 73 gola, plus 13 me fanellën e Argjentinës. Dhe po të marrësh në konsideratë faktin se “dështimi” i fundit i tij nga kjo pikëpamje i takon 2008/09-ës, ka vend për t’u shqetësuar. Atë vit Mesi shënoi “vetëm” 38 gola, që ishin të vlefshëm për tripletën e Barcelonës. Në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Mançester Junajtid, Mesi shënoi me kokë. Më pas çdo sezon ka qenë i mbushur me golat e argjentinasit, madje edhe më shumë se 50 në një sezon dhe me një sfidë në distancë me Kristiano Ronaldon.

Këtë sezon situata është ndryshe, të paktën për standardin e Lionel Mesit. Për momentin ai është në kuotën e 27 golave, 22 në kampionat dhe 5 në Ligën e Kampionëve, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës. Kanë mbetur edhe 9 ndeshje për Barcelonën, 5 në kampionat dhe 4 në Ligën e Kampionëve në rastin më të mirë, ndaj dhe Mesi duhet të shpejtojë, nëse do t’i mbetet besnik mesatares së tij. Ai duhet të shënojë 13 gola në ndeshjet e mbetura, një shifër e lartë duke parë momentin që po kalon numri 10 i Barcelonës. Por, nëse ka një lojtar që bën të “pamundurën”, ai është vetëm Mesi.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë