Treg

“Rënia e euros, të shikohet mungesa e monedhës Lek në treg”

Euro këmbehet sot me 122 lekë sipas kursit të këmbimit të disa prej bankave të nivelit të dytë. Euro ka rënë me 0,61 pikë përqindje nga dita e djeshme sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë ku një euro këmbehej me 122,61 lekë.

Ky është një zhvlerësim historik i monedhës së përbashkët europiane. Një vlerë e tillë e monedhës euro nuk shihej që prej vitit 2008. Edhe në atë vit, në muajin dhjetor niveli më i ulët i shkëmbimit të euros arriti në 122, 5 lekë.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Eksperti Elvin Meka e shpjegon trendin zhvlerësues të monedhës euro me mungesën e monedhës Lek në treg.

“Zhvlerësimi në vijim i EURO-s në raport me Lekun, përtej faktorëve tashmë të mirënjohur, formalë dhe joformalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, mbase duhet të fillojë të kërkohet dhe te mungesa e monedhës LEK, që vjen nga mosemetimi (apo mosprania) në treg i bonove të thesarit 3 mujore nga ana e qeverisë shqiptare. Këtu bëhet fjalë për shuma jo të vogla, të cilat nuk qarkullojnë për periudha të shkurtra kohe. Konkretisht, ky është viti i dytë që tregut i mungojnë bonot e thesarit 3-mujore, prania e të cilave ndihmon në një situatë më të mirë likuiditeti në treg (në lek), e kështu mund të shërbente si një amortizuese, apo balancuese e kursit të këmbimit EURO-LEK”- sqaron Meka.

Ekspertët të tjerë e shpjegojnë tendencën në rënie të monedhës së përbashkët europiane me kushtet atmosferike jo favorizuese, të cilat kanë ulur qarkullimin e biznesit. Agjentët e këmbimit valuator shpjegojnë gjithashtu se kriza e tejzgjatur politike ka trembur njerëzit të cilët janë të pasigurt për të ardhmen dhe nuk po konsumojnë, po kursejnë.

Të njëjtën performancë kanë patur edhe Paundi Britanik i cili ka arritur në nivelin e 138.5 lekëve, duke humbur 0.5 pikë.

Dollari Amerikan rezulton me një humbje prej 0.3 pikësh duke u vlerësuar me 109.2 lekë. Franga Zvicerane ka regjistruar ulje të vlerës duke u këmbyer sot me 108 lekë.
Me rënie kanë rezultuar edhe Dollari Australian dhe ai Kanadez të cilët këmbehen sot me përkatësisht 75 lekë dhe 81.4 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë