Lajme

RENEA dhe FNSH kundër fajdeve në Shkodër, 11 të arrestuar

Është zbardhur operacioni i sotëm në Shkodër dhe skema si funksiononte grupi i fajdeve. Sipas Policisë në pranga janë vënë 11 persona si dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes të arrestuarve jane ish kancelari i Gjykatës, një notere dhe nje efektiv policie.

Konkretisht janë ekzekutuar masat e sigurimit personal "pezullim i ushtrimit të detyrës" per noteren Valbona Hajdari dhe efektivin e policisë, Ergys Lohja. Ndërkohë që ish-kancelari në Gjykatën e Shkodrës, Artan Dragani është arrestuar. Gjithashtu një nga të arrestuarit është Altin Salihi, ish-drejtor i operatorit të shpërndarjes elektrike (OSHEE) Shkodër. Ai ishte aktualisht përgjegjës i zyrës së shërbimeve publike në Bashkinë Shkodër dhe pas operacionit është pezulluar nga detyra.

Dhënia e huave e këtyre shumave bëhej për interesa shume të larta që varionin nga 3%-20% në javë nga ana e personave të implikuar. Nëse nuk kthehej shuma e huasë sekuestroheshin makinat dhe pronat e personave që kishin marrë huanë.
Gjatë hetimit proaktiv janë krijuar dyshime të arsyeshme si dhe janë gjetur e sekuestruar prova materiale që hedhin dritë mbi aktivitetin e tyre kriminal.
Në vazhdim të hetimit janë dhënë 19 masa sigurie, nga të cilët; 16 masa arrest me burg; 2 masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi Publik”; 1 masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si dhe 22 masa të tjera për kontrolle banesash e ambientesh.
Të arrestuar janë shtetasit:

B. A. 61 vjeç nga Shkodra
E. M., 33 vjeç nga Shkodra
A. B. 22 vjeç, nga Shkodra;
A. D. 39 vjeç nga Shkodra
M. B. 31 vjeç nga Shkodra
V. N, 37 vjeç lindur në Podgoricë dhe banues në Shkodër;
E. F., 38 vjeç nga Shkodra
E. Q., 41 vjeç, nga Shkodra
P. V., 54 vjeç nga Shkodra;
L.S., 48 vjeç nga Shkodra;
N. A. 52 vjeç lindur në Pukë dhe banues në Tiranë;
Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 5 shtetasve të tjerë.
Është ekzekutuar edhe masa e sigurisë: “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi Publik” dhe ”Detyrim Paraqitje” për tre shtetas:

V. H., nga Shkodra;

A. S., nga Shkodra

E. L., nga Shkodra

Gjatë operacionit dhe kontrolleve te forcave RENEA dhe FNSH u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
238 600 Euro CASH, 272 400 dollarë CASH, 414 000 Lekë, 510 Paund Britanik, 20 automjete transporti, 1 revolver, 1 krehër pistolete me fishekë, 1 armë gjahu pa leje, 5 kompjuterë laptop, 50 celularë, dokumente, kontrata, akte dhe deklarata noteriale, për pasuri e transaksione financiare të dyshuara.
Ndërkohë, vazhdojnë hetimet financiare për dokumentimin e të gjitha pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal, me qëllim sekuestrimin, konfiskimin dhe rikuperimin te viktimat e krimit.
Në këtë operacion morën pjesë 160 forca policore dhe 30 automjete të policisë, përfshirë edhe automjete për transportim mjetesh transporti.
Policia e Shtetit bën me dije se po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të lidhur me ta.

Këtë operacion të fuqishëm në Shkodër e ka përgëzuar edhe kreu i qeverisë, Edi Rama. Në një postim në “Twitter”, ai vë në pah efikasitetin e Policisë së Shtetit dhe shprehet se Shkodra tanimë është më e sigurt.
“Përshëndetje dhe përgëzime të gjithë forcave policore që u angazhuan në superoperacionin e Shkodrës, duke çmontuar dhe çuar prapa hekurave një grup kriminal keqbërësish. Sot Shkodra është më e qetë e më e sigurt se asnjëherë dhe Policia e Shtetit çdo ditë më efikase”, shkruan kryeministri Rama në “Twitter”.

https://twitter.com/ediramaal/status/1106150253571592193

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë