Rend dhe Ligj

RENEA dhe FNSH aksion në Nikël, 8 të shoqëruar

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm forcat speciale, FNSH, RENEA, shoqëruar nga mjete të blinduara rrethuan fshatin Nikël të Krujës duke kryer kontrolle të befasishme në banesat e një grupi personash, të cilët janë njohur si grupi i Niklës.

Mësohet se mes banesave të rrethuara dhe kontrolluara ishin ato të fisit të njohur në këtë zonë, Haka. Vilat e Flamur Hakës i njohur me nofkën Tuku, Marenglen Hakës, Durim dhe Valter Bamit, Ylli Cangut, etj.

Nga operacioni 8 persona u shoqëruan, ndërsa 2 prej të cilëve kanë urdhër arresti Durim Bami dhe Flamur Haka. Ndërsa të shoqëruar janë Marenglen Haka, Bedri Haka, Valter Bami dhe Ylli Cangu (kunati i vëllezërve të Durim e Valter Bamit).  Ylli Cangu është djali i Naim Cangut që mbeti i vrarë në atentatin e Azem Hajdarit. Naim Cangu ishte me Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin.

Fillimisht, pas nisjes së operacionit në orën 05:00  policia shoqëroi në mjet të blinduar Tukun, që njihet si më kryesori i Niklës, më pas personat e tjerë, të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa ngjarje kriminale në këtë zonë.

Operacioni u drejtua nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Por, zona e Niklës njihet si një ndër zonat më të nxehta në Shqipëri ku kanë ndodhur një numër i madh ngjarjesh në të kaluarën, dhe grupi i Niklës është nga më të njohurit në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë