Së fundmi ka mbërritur një tjetër provë që mbështet përfundimin se ekonomia informale në Shqipëri por rritet ndjeshëm dhe se paraja po qarkullon në rrugë jo zyrtare.
Sipas të dhënave të gushtit nga Banka e Shqipërisë paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar arriti në gusht në një nivel rekord prej 288 miliardë lekësh, ose 2.3 miliardë eurosh Ky është niveli më i lartë historik në vlerë absolute që prej vitit 2002 kur e nisi të raportohet zyrtarisht kjo e dhënë. Kjo shumë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë është e barabartë me 22.2% të parasë gjithsej, më e larta që nga fundi i vitit 2009, kohë kur kishte një valë tërheqje depozitash për shkak të panikut që u krijua nga kriza globale financiare.
Pasi ra në periudhën 2010-2014, paraja jashtë bankave filloi të rritej sërish në 2015-n, sidomos nga gjysma e dytë e 2016-s.
“Nga studime empirike të kryera nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore rezulton se përdorimi i cash-it në ekonomi, mund të konsiderohet edhe si një nxitës i informalitetit në ekonomi”, pohoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në Mbledhjen e Pestë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave dy ditë më parë.
Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, , niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9.2% e totalit. Në Maqedoni, ky tregues, sipas të dhënave të Bankës Qendrore përkatëse ishte rreth 7-8%. Edhe në Serbi ishte rreth 7% e totalit, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Serbe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.