Futboll

Rekord historik për 16-vjeçarin Jamal, bëhet shënuesi më i ri në moshë i La Ligës

Gazeta Si – Ylli i ri i katalanasve ka festuar golin në moshën 16-vjeçare, duke vendosur rekord në kampionatin spanjoll. Megjithatë, nuk ka mjaftuar, pasi Barcelona nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 ndaj Granadës së Myrto Uzunit.

Një rekord historik dhe një barazim i papritur te Barcelona. Lamine Jamal është bërë shënuesi më i ri në moshë në historinë e La Ligës, kurse Barcelona barazoi në fund të një ndeshjeje spektakolare ndaj Granadës dhe mbetet -3 pikë nga dal Real Madrid.

Lamine Jamal, 16 vjeç. Gazeta Si, 9 tetor 2023

Ishte shansi i fundit dhe Lamine Jamal nuk e la t’i ikte. Për të vendosur rekordin ai duhej të shënonte kundër Granadës dhe ia arriti qëllimit. Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, pas një asisti të Zhoao Feliks, ai mposhti portierin Andre Ferreira, duke shkurtuar diferencën në 1-2. Granada kishte shënuar 2 herë me Brajan Zaragozën, madje avantazhin e gjeti pas 17 sekondash.

Rekordi i mëparshëm i shënuesit më të ri në moshë në La Liga i përkiste kamerunasit Fabris Olinga, që më 18 gusht të 2012-ës kishte shënuar golin e vetëm për Malagën në Vigo kundër Seltës. Sulmuesi afrikan, i cili sot luan në Rumani, te Botosani, shënonte në moshën 16 vjeç e 98 ditë. Lamine Jamal ka shënuar në moshën 16 vjeç e 87 ditë.

Duke pasur parasysh pushimin e kampionatete për ndeshjet e kombëtareve, sfida e radhës për Barcelonën do të vinte shumë vonë për rekordin. Por duket se Lamine ka prekur diçka magjike dhe pas disa rekordesh mes klubit dhe kombëtares, La Ligës dhe Championsit, vendos këtë rekord prestigjioz, që vështirë se do të thyhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë