Kombetarja

Reja ul euforinë: Bëmë mirë, por duhet të rregullojmë disa defekte

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja ka shprehur kënaqësinë e tij për fitoren me Islandën, por njëkohësisht tentoi që të ulë me këmbë në tokë lojtarët për të mbajtur larg euferinë. Për Rejan pjesa e dytë ishte një fytyrë e keqe dhe ekipi e nisi në gjumë, duke i lejuar kundërshtarit hapësira dhe mundësinë për të na bërë dy gola.

“Më bëhet qejfi që kemi fituar ndeshjen, por më vjen keq që kemi pësuar gola që mund të evitoheshin. Hymë në pjesën e dytë të përgjumur dhe i dhamë një gol të shpejtë Islandës. Duke qenë se janë të fortë nga gjendja fizike, prisja që të dominonin. Por, ndodhi e kundërta dhe arritëm këtë rezultat.”

Sa i përket ndryshimeve në formacion gjatë ndeshjes, Reja tha se ishte i detyruar për shkak të gjendjes fizike të disa lojtarëve.

“Me formacionin çunat më kënaqën të gjithë. Kemi një mesfushë teknike, Memushaj, Bare dhe Gjasula, që bëri rolin e digës. Gjetëm forca të reja, dhe lojtarë që mund të na japin për të ardhmen. Edhe në ndeshjen e parë me Islandën bëmë një takim të mirë, dhe nuk meritonim të humbnim.”

Kjo ndeshje shërben shumë për të rritur moralin e ekipit dhe besimin në këto eliminatore. Reja më tej la çdo gjë të hapur sa i përket kontratës së tij, duke thënë se është i kënaqur me grupin që po krijohet në këtë muaj te Shqipëria.

“Skuadra po rritet. Kjo fitore na ndihmon. E vërtetë që ajo që ndodhi në fillim të pjesës së dytë nuk duhet të ndodhë më. Duhet të dyfishojmë sforcot kur jemi në avantazh. Jo gjithmonë fati do jetë me ne. Për mua nuk është problem kontrate. Nëse gjejmë akordin, mund të vazhdoj, por edhe mund të kthehem në shtëpi duke bërë akoma më mirë. Më pëlqen klima e grupit, dua ta rris akoma nivelin. Sot nuk kemi bërë asgjë. Morëm një fitore të madhe, por duhet të shohim të ardhmen. Kemi dy ndeshje në transfertë, duhet të marrim pikë dhe atje, të jemi të kënaqur.

Në fund tekniku italian u ndal edhe te mbrojtja, e cila sipas tij do duhet akoma që të rritet për të bërë atë që ai dëshiron përgjatë gjithë 90 minutave.

“Nga krahu i majtë kishim probleme. Gjimshiti ishte i dëmtuar, por nuk e kuptuam. Edhe Hysaj ishte i dëmtuar. Nuk e dija edhe nëse Bare e Memushaj do luanin 90 minuta. Por, ata që u futën në pjesën e dytë më dhanë kënaqësi. Abrashi në të djathtë më kënaqi, edhe Veseli bëri ndeshje të mirë në ato minuta që luajti. Kënaqem sepse ekipi ka shpirtin e grupit. Këto gjëra duhen për të vijuar.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë