Më në fund, Elseid Hysaj, ka bërë atë që duhej ta bënte kohë më parë. Mbrojtësi shkodran i Napolit, kapiten i kuqezinjve pas mungesës së Mavrajt, ka treguar shenja lideri në fushë. Jo vetëm se shënoi golin e parë, mjaft i bukur nga mënyra e realizimit, por ishte ai që u mundua ta udhëhiqte skuadrën në çdo moment. Ishte ai Hysaj që të gjithë prisnin të shikonin. Një dëmtim e nxori nga fusha para kohe, por këtë herë shkodrani vërtet ka bërë liderin dhe kapitenin e vërtetë të Kombëtares.
Ishte fitore grupi dhe të gjithë kanë merita, por Kejdi Bare, pas këtyre dy ndeshjeve, ku ka luajtur për 90 minuta, ka marrë në dorë “çelësat” e mesfushës së Shqipërisë. Ishte ai motori i skuadrës në këtë repart dhe tani nuk ka më dyshime se futbollisti fierak e ka marrë stafetën nga Xhaka. Një lojtar shumë i rëndësishëm, agresiv dhe aktiv në të dyja fazat e lojës. Një lojtar që ishte sa për dy në fushë. Bashkë me të edhe Klaus Gjasula mund të konsiderohet një bast i fituar. Lojtari i Paderbornit ka treguar pjekuri, sikur të kishte shumë kohë që luante me Kombëtaren. Një element shumë i rëndësishëm dhe shumë i disiplinuar taktikisht.
Një tjetër lojtar që ka impresionuar në këtë ndeshje ishte sulmuesi Rei Manaj. Freski fizike dhe rezistencë, ngacmues gjithë kohën dhe ai pasim fantastik me thembër për Hysajn kompletojnë një ndeshje thuajse perfekte për Manajn, të cilit i mungoi vetëm goli. Për Odise Roshin nuk ka nevojë për shumë fjalë. Ai është vendimtar edhe kur e nis nga stoli. Ledjan Memushaj ishte si një katalizator mes reparteve, ndërsa Sokol Cikalleshi tashmë ka rregulluar marrëdhënien me portën kundërshtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.