Kombetarja

Fitore me zemër dhe 4 gola rekord

Kur një skuadër ka më pak kualitet se kundërshtari, e rikuperon diferencën duke luajtur me zemër. Me zemër kuqezinjtë shkuan deri në “Francë 2016”, duke emocionuar çdo shqiptar. Me po atë zemër kanë mundur sot Islandën në “Elbasan Arena”, në një ndeshje të mbushur me emocione. Dermaku dhe Hysaj që shënojnë golin e parë me Kombëtaren, Memushaj që vendos ekuilibër, Bare një “luan”, Gjasula luan si një veteran dhe Roshi shpërthen mbrojtjen kundërshtare. Një skuadër e vërtetë, me grintë, që jep shenjat e para të ringritjes. Kuqezinjtë kanë ditur të vuajnë dhe ia kanë dalë të mposhtin Islandën, një rival direkt, madje duke shënuar 4 gola, diçka e pazakontë për skuadrën tonë. Një rekord.

Një transformim total i kuqezinjve, falë edhe ndryshimeve të bëra në fushë nga trajneri Edi Reja, por mbi të gjitha falë motivimit dhe seriozitetit që ata shfaqën në fushë. Ndoshta edhe fati këtë herë ka qenë në anën tonë, por e rëndësishme është që djemtë tanë dhanë gjithçka në fushë. Trajneri Reja kishte bërë llogari të tjera për të fituar ndeshjen vendimtare në grup dhe zgjedhjet e tij dolën të goditura. Edhe ato nga stoli, pavarësisht se dy prej tyre ishin të detyruara nga dëmtimet e Gjimshitit dhe Hysajt. Në momente të caktuara pati edhe lodhje, por zemra nuk i tradhtoi kuqezinjtë.

Hysaj feston golin e parë me fanellën kuqezi. Gazeta Si, 10 shtator 2019

Centimetrat e Kastriotit Dermakut kanë bërë punë. Mbrojtësi shtatlartë i Parmës ka shënuar me kokë në minutën e 32-të të ndeshjes me Islandën dhe kuqezinjtë udhëheqin 1-0. Gjiganti i Kombëtares, 1.95 metra i gjatë, kërceu mbi të gjithë dhe dërgoi në rrjetë një top të ardhur nga e djathta e sulmit nga Memushaj. Një ndeshje shumë më e mirë se ajo me Francën për skuadrën e trajnerit Reja, i cili ka bërë shumë ndryshime në formacion. Manaj ishte pa fat, teksa goditi shtyllën në fillim të pjesës së parë. Memushaj dhe Lenjani i kanë dhënë më shumë shpejtësi sulmit të Shqipërisë në këtë ndeshje. Kuqezinjtë duken të transformuar dhe të vendosur më mirë në fushë. Pas golit të avantazhit, në stadium ka më shumë entuziazëm.

Me fillimin e pjesës së dytë, Islanda barazoi me lojtarin e saj më të mirë, Gylfi Sigurson, por pas 5 minutash Hysaj e ktheu Shqipërinë në avantazh, duke shënuar golin e parë me fanellën kuqezi, me shiritin e kapitenit të saj. Por edhe këtë radhë islandezët kanë reaguar dhe kanë barazuar me Sigthorson. Lëvizje nga stoli dhe Roshi në fushë, në vend të Lenjanit. Kuqezinjtë kanë vuajtur për disa minuta, ndërsa Gjimshiti është dëmtuar dhe i lë vendin Veselit. Edhe Hysaj nuk ia del të vazhdojë dhe kërkon ndërrim, vendin e tij e merr Abrashi.

Kuqezinjtë përpiqen dhe Odise Roshi, “karta” fituese, i ndihmuar edhe nga një devijim i topit nga një mbrojtës kundërshtar, gjen golin e avantazhit nga jë pozicion diagonal. Është minuta e 79-të dhe duhet kujdes në mbrojtje për të ruajtur rezultatin. Goditjen e radhës Islanda e merr nga Cikalleshi. Kavajasi shënon me potencë në zonë, pas një shpërthimi të Roshit nga mesfusha jonë. Shqipëria administron me qetësi minutat e mbetura dhe në fund i gëzohet fitores. Kuqezinjtë mbeten në vend të 4-t, me 9 pikë. Grupi udhëhiqet nga Franca dhe Turqia, me nga 15 pikë.

Shqipëri-Kosovë 4-2
Shënues: Dermaku 32’, Hysaj 52’, Roshi 79’, Cikalleshi 83’/ Sigurdson 47’, Sigthorson 58’
Shqipëria: Strakosha, Dermaku, Lenjani (Roshi 62’), Hysaj (Abrashi 72’), Ismajli, Ghimshiti (Veseli 66’), Bare, Memushaj, Manaj, Gjasula, Cikalleshi. Trajner: E.Reja.
Islanda: Haldorson, Hermanson, Arnason, R.Sigurdson, Skulason, Bjarnason, G.Sigurdson, Gunarson, Sigurson, Hallfredson (Sigthorson 55’), Bodvarson. Trajner: E.Hamren


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë