Politike

Regjistri digjital i PS, Balla mbledh kryebashkiakët në seli

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka mbledhur në seline qendrore të partisë këtë të enjte krerët e 61 bashkive. Qëllimi i takimit ka qenë regjistri digjital i anëtarësisë së partisë për nisjen e procesit të analizës së rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, analizë që nis në shtator.

Analiza u njoftua fillimisht në Asamblenë Kombëtare të qershorit dhe sipas planit do të skanohet vota në çdo qark dhe qendër votimi, si paraprirje e një procesi hapjeje të partisë.

Shtrirjen në çdo qelizë të partisë e njoftoi pak ditë më parë edhe Sekretari Organizativ i PS-ssë, Arben Pëllumbi.

“Partia Socialiste është në fazën e konstituimit të komisionit të posaçëm i cili do të merret me përgatitjen e metodikës e cila do të bëhet e gjithë analiza që të kemi një standard analitik në të gjithë territorin e vendit. Jemi duke diskutuar faktin nëse në një zonë do të jetë drejtuesi i qarkut ai i cili do të mbikëqyrë procesin apo do të delegojmë dikë tjetër

Nga 15 Shtatori deri në 15 Nëntor ne kemi procesin e analizës në çdo qelizë dhe njëkohësisht të zgjedhjeve, pas 15 Nëntorit kalojmë në një rang më të lartë, kalojmë në nivelin e njësisë administrative, në nivel bashkie dhe me pas në nivel qarku, për ta përfunduar në mes të Janarit”, tha Pëllumbi

“Duhet të ndërtojmë një metodikë që të bëjmë analizën e gjithë situatës sepse jo kudo kanë funksionuar dhe kanë ndikuar të njëjtët faktorë dhe të njëjtat procese, kështu që në fund fare do të jenë vetë strukturat ato që do të gjykojnë nëse mbërritja e një rezultati më të lartë apo më ulët ishte një faktor objektiv apo jo. Në fund fare ajo që na intereson është që faktori subjektiv mos të ketë ndikuar në rezultatin e dobët të PS, sigurisht nuk kemi pse të vejmë në përgjegjësi njerëzit tanë që kanë kryer punën e tyre”, vijoi ai

Pëllumbi e la të hapur edhe mundësinë e zgjedhjeve të organeve të reja në parti. “Përfundon edhe mandati një vjeçar i kryesisë, sekretariatit dhe sekretarit të përgjithshëm. Besoj që do të jetë edhe periudha që do të përkojë edhe me një mbledhje të re të Asamblesë Kombëtare, për të përcaktuar nëse do të kemi shtyrje të mandatit apo zgjedhje të reja, unë personalisht jam për zgjedhje të reja”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë