Lajme

Refuzuan dekretin e Metës, merren në mbrojtje 4 anëtarët e KQZ

Pasi refuzuan dekretin e presidentit Ilir Meta për anulimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve vendore, janë marrë në mbrojtje katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Mësohet se kërkesa është bërë në Ministrinë e Brendshme nga vetë katër anëtarët e KQZ. Pas kësaj kërkese anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u është vendosur truprojë nga Njësia Speciale e Policisë.
Në mbrojtje janë vënë nënkryetari i KQZ, Denar Biba dhe anëtarët Edlira Jorgaqi, Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri.

Ndërsa, anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi tha për Gazetën Si se nuk kanë pasur shqetësime, por në këtë kaos politike, siguria në institucion nuk ka asnjë gjë të keqe.
“Nuk kemi pasur asnjë shqetësim. E them për vete dhe për kolegët. Ndoshta në këtë situatë pak siguri në institucion s’ka asnjë gjë të keqe”, u shpreh anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi.

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon me mbledhjen e radhës, në kuadër të procesit zgjedhor të 30 qershorit. Sipas njoftimit të KQZ-së, janë 5 pika në rendin e ditës.
Në mungesë të kryetarit Klement Zguri, që ishte për respektim të dekretit të presidentit Meta, mbledhjen e drejton nënkryetari i KQZ, Denar Biba.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë