Analize

Refuzimi i gazsjellësit Kosovë-Maqedoni është i arsyeshëm

Qeveria e Kosovës mori vendimin e duhur me refuzimin e projektit që e lidh me gazsjellës me Maqedoninë e Veriut. Një vendim tjetër, sipas Qendrës Shqiptare të Studimeve Strategjike do të ishte i gabuar.

Nëse do të lidhej me Maqedoninë e Veriut, Kosova do të furnizohej me gaz nga dy burime, ose me gazen azer përmes degëzimit të TAP në Greqi, ose me gazin natyror të lëngshëm amerikan përmes terminalit t Aleksandropolit, po nga Greqia.

Por, Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjik rendit dy arsye kryesore se përse kjo lidhje do të ishte e gabuar.

Së pari, TAP nuk ka ndarë asnjë sasi gazi për Kosovën, bile as për Shqipërinë. Nëse qëllimi është që Kosova të lidhet me TAP, normalisht nga pikëpamja tregtare rruga më e shkurtër nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Kjo ide me gjasa është shtyrë nga Greqia, që mirëmban TAP në territorin e saj. Nga pikëpamja strategjike, Kosova duhet të lidhet me TAP nëpërmjet Shqipërisë dhe jo Maqedonisë së Veriut.

Së dyti, nëse gazsjellësi do të furnizohet me gazin e lëndshëm amerikan, ai transportohet me tankera dhe mund të shkarkohet si në Aleksandropoli të Greqisë, ashtu edhe në Vlorë, apo Porto Romano në Shqipëri.

Në këtë rast, Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike thotë se në shërbim mund të hyjë hekurudha që lidh Shqipërinë me Kosovën për të transportuar gazin amerikan me kosto më të ulët dhe sasi më të mëdha.

Projektin e refuzuar nga Qeveria e Kosovës, Qendra Shqiptare për Studime Strategjike e vlerëson si projekt të sponsorizuar edhe nga Serbia.

“DEFSA (Operatori Helenik i Sistemit të Transmetimit të Gazit) duke qënë aksionere në Njësine Lundruese të Magazinimit dhe Rigazifikimit (FSRU) të Aleksandupolit ka nevojë të rrisë tregun e LNG amerikane në Ballkan thjeshtë për interesin e saj të biznesit. Në këtë njësi kanë hyrë aksionere edhe qeveria e Sërbisë dhe e Maqedonisë, që asnjë nuk i përmend në media. Pra Kosova i bie të furnzohet me gaz amerikan nga një kompani ku qeveria serbe është aksionere. Qeverinë e Kosovës nuk e fusin dot aksionere për shkak të Serbisë, kështu që tregun e Kosovës duan ta kenë nën kontroll me gazsjellësin, pa e futur qeverinë e Kosovës ai aksionere”, thotë Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike.

Pra, sipas qendrës mosbërja e gazsjellësit nga Maqedonia e Veriut nuk ka kurrfarë lidhje me cenimin e interesave amerikane. Interesat amerikane plotësohen si të shkarkohet LNG në Shqipëri e si në Greqi.

“Këtu bëhet fjalë se kush do ta kontrollojë tregun e Kosovës dhe forcat politike në Kosove duhet ta mbështesin qeverinë e Kosovës dhe mos të hedhin fishekzjarre në mes të ditës se po prishen me Amerikën, thjeshtë për përfitime elektorale. Interesat kombëtare janë më të rëndësishme se ato partiake”, thotë Qendra.

Në studimin e kësaj qendre thuhet se edhe ideja se në Kosovë do të prodhohet energji elektrike me gaz importi është një tallje me Kosovën dhe përfitim nga injoranca dhe servilizmi i disa politikanëve. Sipas Qendrës, SHBA nuk ka interesa tregtar me Kosovën, por interes strategjik real për pavarësinë energjitike të saj.

“Pjesa më e madhe nuk e di si funksionon tregu LNG. Edhe në se doni të blini sot LNG në SHBA nuk ka, pasi LNG shitet me kontrata afatgjata 25 vjeçare. Vetëm pasi parakontraktohet, atëhere investohet në kapacitetet nxjerrëse, përpunuese dhe transportuese. Pra SHBA tani në Kosovë e Shqipëri është ende në fazën studimore, se sa LNG mund të thithin këto tregje të vogla, të cilat nuk kanë asnjë peshë në ekonominë amerikane. Gazsjellësi nga Maqedonia është thjeshtë një konkurrencë tregtare e operatorëve të gazit, e mbështjellë me një mjegull të rrejshme si interes amerikan, për të përfituar nga padija e konsumatorit kosovar”, thuhet në studim.

Qendra thekson se me rëndësi primare për Kosovën duhet të jetë investimi te thëngjilli, ku zotëron rezervat më të mëdha në Europë.

“Teknologjia e gazifikimit të thëngjillit ka ecur mjaft dhe shumë shpejt do të bëhet e zbatueshme. Kjo do ta kthejë Kosovën në Katarin e Europës. Në fakt Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet tek thengjilli, pasi ka rezervën më të madhe në Europë dhe nuk duhet të influencohet shumë nga teoritë e gjelbra dhe sygjerimet për tranzicionin e nevojshëm energjetik me gaz”, thotë Qendra Shqiptare për Studime Strategjike.

Përveç kësaj, prioriteti tjetër duhet të jetë lidhja me gazsjellës me Shqipërinë dhe me kapacitete tre herë nga sa qarkullojnë projektet aktuale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë