Pas deklaratave të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës se lojërave me reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore u duhet dhënë fund, opozita dhe mazhoranca kanë shprehur gatishmërinë për të mbajtur mbledhjen e radhës të Këshillit Politik për reformën zgjedhore, por ajo që i ndan janë 24 orë diferencë e kohës se kur duhet mbajtur ky takim.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë dorëzuar një letër Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit ku kërkohet përmbyllja e procesit sa më parë dhe për këtë propozon që mbledhja e ardhshme të mbahet ditën e hënë, më 25 maj dhe akuzohet mazhoranca se vetëm ka bllokuar procesin.
“Rifillimi i procesit më 11 maj është goditur vazhdimisht nga deklarata dhe veprime që kanë shkaktuar krizë politike e që, qartazi, kanë pasur si qëllim shkatërrimin e këtij procesi jetik politik. Por, pavarësisht këtyre veprimeve të qëllimshme, Opozita e Bashkuar nuk do të heqë dorë nga objektivi i saj për të përmbushur pa vonesë obligimin e saj para shqiptarëve për zgjedhje demokratike”, thuhet në letrën e përbashkët të PD dhe LSI.
Bylykbashi dhe Vasili hedhin poshtë disa deklarata të Damian Gjiknurit, ku ky i fundit ka nënkuptuar se palët nuk janë aq larg kompromisit.
“Deklarimet tuaja se është gjetur kompromisi për një sërë çështjesh janë të pavërteta dhe synojnë vetëm fshehjen e të vërtetës, që deri më sot nuk ka kompromis për çështjet themelore, për të cilat Opozita e Bashkuar ka paraqitur propozime konkrete”, theksohet në letër.
Kompromisi fillimisht mungoi edhe për datën e mbledhjes së radhës. Mazhoranca i është përgjigjur kërkesës së opozitës duke kërkuar që Këshilli Politik të mblidhet ditën e martë në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, pasi e hëna është pushim nga festa e Fiter Bajramit. Propozimi i socialistëve u pranua më vonë nga demokratët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.