Politike

Rama: Meta s’më ka dorëzuar asnjë platformë. Gati për tryezë

Pasi presidenti Ilir Meta deklaroi sot se më 8 prill i kishte dorëzuar kryeministrit Edi Rama një projekt-platformë, vjen dhe një reagim nga ana e kryeministrit.

Nëpërmjet një mesazhi në “Twitter”, Rama mohon faktin se kishte marrë një platformë nga kreu i shtetit.

Ai thekson se është gati të ulej në një tryezë me Metën, opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve.

“Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi ‘i’ të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la”, shkruan Rama.

Mes të tjerash Rama theksoi se tryeza do të jetë me karta të hapura.

“Presidenti t’i lerë apelet natën për 20 burra e ditën për 11 pika! Opozita t’i lerë ultimatumet trupore e sharjet fëminore! Të dy bashkë ta lenë teatrin e mbledhjeve të komitetit të shpëtimit, se Shqipëria, parlamenti, qeveria, s’kanë kohë të luajnë ‘e ka kush e ka’ dezhurnin.

Jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s’ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë, Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen URGJENT në një tryezë me karta të hapura”, vijon më tej Rama.

Por pas këtyre deklaratave të Ramës erdhi reagim i Presidentit.

“Që Platforma për Integrimin Europian (Non Paper) i është paraqitur Ambasadores së SHBA që më 8 prill 2020 është FAKT. Që Rama GËNJEN nuk është më lajm as për të huajt”, thotë Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë