Politike

‘Zgjedhorja’ / ODIHR: Fokusi tek problematikat e shkuara, si blerja e votës dhe keqpërdorimi i burimeve publike  

Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka publikuar sot një deklaratë ku thekson se nisma e autoriteteve shqiptare për të rifilluar reformën zgjedhore në vend përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 është një zhvillim i rëndësishëm dhe pozitiv në një proces që tashmë ka shërbyer si shembull i praktikës së mirë për rajonin dhe më gjerë.

Drejtori i ODIHR Matteo Mekaçi, ka theksuar nevojën për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse mes palëve, ndërsa kërkoi që fokusi të jenë problematikat e zgjedhjeve të shkuara, si parandalimi i keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerja e votave, sigurimi i fshehtësisë së votës dhe mbrojtja e lirisë së medias.

“Ne mirëpresim vendimin e autoriteteve shqiptare për të ripërtërirë angazhimin e tyre ndaj këtyre reformave jetike deri tani përpara zgjedhjeve.

I nxisim të gjitha palët që të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në muajt në vijim, duke siguruar që reformat të përmirësojnë procesin zgjedhor për të mirën e të gjithë shqiptarëve.

Është e një rëndësie thelbësore që të vendosen synime praktike dhe realisht të arritshme që fokusohen në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të ODIHR-it dhe adresimin e mangësive të vërejtura gjatë zgjedhjeve të kaluara, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Prioritetet kryesore përfshijnë parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerjen e votave, sigurimin e fshehtësisë së votës, mbrojtjen e lirisë së medias dhe rritjen e efektivitetit të administratës zgjedhore”, tha drejtori i ODIHR Matteo Mecacci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë