Reforma zgjedhore është kryeprioriteti që Partia Demokratike i ka vendosur vetes në këtë fillim viti. Lulzim Basha thotë se nuk duhet humbur më asnjë moment për ta realizuar këtë reformë, si kusht i vendosur nga Bundestagu gjerman për negociatat, por edhe për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në bashkëbisedimin e parë me gazetarët për këtë vit, kryedemokrati Basha e sheh reformën zgjedhore si nyjen që zgjidh të gjitha problematikat e tjera që sipas tij po vuan vendi.
“Është e vetmja rrugë për të thithur fonde nga BE dhe për t’i mirëadminsitruar ato në drejtim të nevojave akute, siç janë ato të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në drejtim të bujqësisë në drejtim të biznesit, në drejtim të shëndetësisë, të arsimit dhe kudo tjetër”, deklaroi ai.
Ndaj Ramës përsëriti akuzën se po mban peng zhvillimin dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Kjo qeveri dhe ky kryeministër po na mban larg Europës. Kjo nuk është vetëm një fjalë goje, këto janë miliona euro që i humb Shqipëria ditë për ditë, para që taksapaguesit europianë, ua japin vendeve si tonat për të përafëruar edhe më shumë ekonominë, shëndetësinë, arsimin me standardet europiane”, u shpreh Basha.
Duke u ndalur tek vullneti i përsëritur i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave dhe qëndrimin pozitiv që kanë mbajtur partitë e djathta europiane, Basha kërkoi që të mos humbej më kohë.
“Ne nuk duhet ta humbim këtë shans të madh për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë së shkatërruar shqiptare, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe çdo sektori tjteër. Ky është një vit shumë i rëndësishëm, kemi 2 vende mike që marrin presdencën, Kroacia këto 6 muaj dhe Gjermania 6 mujorin e dytë”, thotë ai.
Por, që të realizohen të gjitha këto, Basha i rikthehet prioritetit numër një, që është reforma zgjedhore dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe vendore.
“Miratimi i menjëhershëm i reformës zgjedhore, që i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një ditë me zgjedhjet vendore, me standard dhe garanci për votën e lirë, për të dhënë fund fenomenit të shitblerjes së votës, përdorimit të krimit dhe parave të pista të krimit dhe për të ndëshkuar krimin elektoral, që janë tre kushte të tjera të Bundestagut gjerman për të hapur negociatat me Shqipërinë”, u shpreh ai.
Basha përsëriti qëndrimin e Partisë Demokratike se problematika nuk qëndron tek sistemi zgjedhor, por tek vullneti politik i Edi Ramës për të mos u shkëputur nga krimi. Duke marrë si shembull rastin e fundit të kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, që PD e denoncoi se rezulton i dënuar në Greqi dhe e ka fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit, Basha shpjegoi në këndvështrimin e tij se përse nuk e ka fajin sistemi.
“Kjo tregon se nuk është një problem sporadik. Edhe kur i emëron pa kundërshtarë, Edi Rama zgjedh kriminelë apo njerëz të lidhur me kriminm siç është Tushe i Lushnjës, që i plasin granatat në zyrë dhe prapë, ky njeri hesht, në vend që ta kishte shkarkuar 24 orëshin e parë. Pse? Sepse ky njeri nuk ndahet dot nga krimi. Dhe ky është problemi numër 1 që ka Shqipëria, një kryeministër që nuk ndahet dot nga krimi. 4 të tjerë janë provuar tashmë me rekorde kriminale. Si zgjidhet kjo? Çfarë sistemi do ta zgjidhë këtë? Problem sistemi është ky? Natyrisht që jo! Është problem i një njeriu që e ka ndërtuar karrierën e tij politike dhe çdo betejë të tij politike në aleancë me krimin, në kurriz të qytetarëve”, deklaroi kreu i PD-së.
Mbi mekanizmin sesi mund të përfshihet opozita jashtëparlamentare në reformën zgjedhore, kryedemokrati përsëriti qëndrimin e shprehur që në vjeshtën e vitit të kaluar, ajo përmes një tryeze të përbashkët jashtëparlamentare të drejtuar nga ndërkombëtarët dhe përsërit bindjen e opozitës se me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë presje, asnjë pikë, asnjë qendrim nuk ka ndryshuar. Natyrisht, që këtu prevalon vullneti politik. Ai që vendos është vullneti politik. Përsa kohë Edi Rama vazhdon ta mbështesë karrierën e tij politike dhe fatin e tij politik tek kriminëlet, përsa kohë zbulohen kriminelë në Kuvend, në bashki, në insitucione dhe ai vazhdon të kruajë mjekrën sikur nuk ka ndodhur asgjë, harrojeni se këtu do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme! Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër kujdestar të zgjedhjeve të lira e të ndershme, i cili nuk është i përlyer dhe as pjesë e tepsisë me krimin dhe e pushtetit të marrë me krimin”, tha Basha.
Sa i takon Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Basha nënkuptoi se ajo nuk e ka fituar ende besimin e opozitës. Kreu i PD-së foli për dy teste që kjo strukturë duhet të kalojë.
“Ka dy dosje të shitblerjes së votës, që janë në prokurori. Këto janë testi i madh i vërtetë, nëse kemi apo nuk kemi SPAK të vërtetë, ashtu siç e ka votuar PD, me amendamentet që u bënë realitet falë mbështetjes së SHBA. Ky është testi numër një. Hetimi i koncesioneve dhe oligarkëve, të lidhur me pushtetarët dhe i pushtetarevë te lidhur me oligarkët është testi numër dy. Pa kaluar këto dy teste mund të themi se SPAK-u nuk është gjë tjetër veçse hije e asaj që duhet të ishte. Ndaj, thirrja ime ndaj prokurorëve të SPAK-ut është të mos humbasin asnjë sekondë kohë, por të marrin në dorë këto dy çështje jetike për ekonominë dhe demokracinë shqiptare: shitblerjen e votave, koncesionet korruptive të kësaj qeverie”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.