Politike

Basha e nis vitin me reformën zgjedhore, a do të pranojë ndryshim sistemi?

Në krye të agjendës së Partisë Demokratike në fillim të këtij viti duket se do të jetë reforma zgjedhore. Lulzim Basha mblodhi ditën e hënë grupin e punës të ngritur për këtë çështje. PD thotë se reforma zgjedhore është rruga më e sigurtë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Për këtë, PD pritet që të bëjë shumë shpejt publike qëndrimet e veta, për të cilat thotë se është e hapur për t’u debatuar dhe konsultuar me qytetarët. Lulzim Basha e sheh reformën zgjedhore si një prej dy detyrave të vendosura nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave. Për të parën, që ka të bëjë me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, PD nuk ka gjë në dorë.

Ndaj, për treguar se opozita nuk është pengesë për integrimin e vendit, Basha pritet që të përqëndrohet tek reforma zgjedhore dhe realizimi i saj sipas rekomandimeve të dhëna nga OSBE/ODIHR. Kërkesa mund të zgjasë të paktën deri në qershor, nëse reforma nuk kalon më shpejt. Në qershor është mbledhja e radhës e Këshillit Europian, ku sërish do të diskutohet për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në vendimmarrjen e KE-së kryerja ose jo e kësaj reforme pak rëndësi duket se ka, të paktën për momentin. Megjithatë, opozita akuzon Edi Ramën se po e pengon plotësimin e këtij të vendosur nga Gjermania, madje këtij bllokimi, sipas demokratëve i shërben edhe zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme deri në muajin mars.

Edhe Edi Rama nga ana tjetër kërkon ndryshime në Kodin Zgjedhor për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR. Por, ai në asnjë moment nuk ka folur për ndryshim të sistemit zgjedhor. Kryeministri ka folur për depolitizim të administratës dhe mundësisë së përdorimit të sistemit elektronik. Kjo e fundit është një kërkesë e hershme e Partisë Demokratike.

Për ndryshim sistemi nuk ka folur, të paktën jo zyrtarisht dhe në emër të opozitës as Lulzim Basha, ndonëse prej kohësh ka patur presionin e aleatëve. Për 2019, ai u rezistoi këtyre presioneve dhe në tryezën e organizuar nga OSBE për këtë çështje, përfaqësuesi i PD nuk foli për ndryshim sistemi. Përveç kësaj, Basha vetë publikisht ka deklaruar se nuk është faji i sistemit për manipulimin e zgjedhjeve, por vullneti politik për të zbatuar Kodin Zgjedhor dhe ligjet e tjera të vendit, si dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar për blerjen e votave, për të cilën akuzon drejtpërdrejtë Edi Ramën.

Këtë qëndrim, Basha e ka deklaruar në publik si qëndrim institucional të opozitës, ndërsa si qëndrim personal ka deklaruar se është për sistem mazhoritar. Këtij sistemi i afrohen më shumë edhe aleatët e kreut të PD-së, që kanë kërkuar përgjatë të gjithë 2019 ndryshimin e sistemit. Për më tej, veç aleatëve Basha ka edhe konkurrencën e shoqërisë civile, konkretisht të Nismës Thurjes, që depozitoi në Kuvend përmes deputetes Rudina Hajdari ndryshimet ligjore për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Kërkesa mbështetet nga rreth 50 mijë firma të qytetarëve që Nisma thotë se i ka mbledhur në fushatën për ndryshimin e sistemit.

Përballë këtij presioni të shtuar, nuk është çudi që në fund grupi i ngritur nga Partia Demokratike për reformën zgjedhore të dalin me një kërkesë për ndryshimin e sistemit, ose të paktën me një propozim që do t’u përafrohej qëndrimeve të partive të tjera opozitare dhe të Nismës Thurje.

Por, çfarë e pengon Lulzim Bashën që të përqafojë qëndrimet e aleatëve të tij tradicionalë e jotradicionalë dhe të Nismës Thurje që ka pas të paktën 50 mijë qytetarë në këtë propozim?

E para, nisma e Bashës për reformën zgjedhore duket se bie ndesh me qëndrimin e Sali Berishës. Ky i fundit, në daljen e parë televizive për këtë vit pak u ndal tek reforma zgjedhore. Ish-kreu i PD-së, pesha e të cilit brenda partisë dihet tashmë tha se PD nuk po e udhëheq më opozitarizmin, por ajo po udhëhiqet nga vala e opozitarizmit të të rinjëve kundër Qeverisë, që Berisha e sheh të shprehur nëpër stadiumet e vendit.

“Mendimi im është që ky (Edi Rama) pa protesta masive dhe të rrepta nuk ikën. Situata është më kritike dhe dramatike se kurrë më parë, kjo është e vërteta. Unë kam zero rol në udhëheqjen e Partisë Demokratike”, deklaroi Berisha në një intervistë të fundit për Ora News.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë