Politike

Sos durimi, ndërkombëtarët në ofensivë për reformën zgjedhore

Ajo që mëngjesin e kësaj të enjteje nisi si një sipërmarrje personale e Yuri Kim për të detyruar palët në gjetjen e një marrëveshjeje për reformën zgjedhore në Këshillin Politik, në mesditë u shndërruar në një ofensivë të hapur ndërkombëtare.

Ambasadorja Amerikane ka zhvilluar takime jashtë vëmendjes së publikut me të katër përfaqësuesit partive në Këshillin Politik, që mund të interpretohet si një mosbesim i Shteteve të Bashkuara te aftësia dhe mbi të gjitha vullneti i klasës politike shqiptare për të përmbyllur reformën brenda kësaj jave, ashtu siç ka premtuar.

Kryediplomatja amerikane është takuar me Damian Gjiknurin, Oerd Bylykbashin dhe Rudina Hajdarin, ndërsa para mbledhjes së radhës të Këshillit Politik, që zhvillohet në orën 17:00 do të takohet edhe me përfaqësuesin e LSI-së në këtë këshill, Petrit Vasilin.

Gazeta “Si” mëson se Ambasadorja Kim ka shfrytëzuar takimet në fjalë vetëm për t’u njohur personalisht me qëndrimet e palëve për çështje të caktuara dhe as ka komentuar dhe as ka sugjeruar ndonjë projekt për reformën zgjedhore.

Për reformën zgjedhore, Kim u takua të martën me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Basha i shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e Partisë Demokratike për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda 31 majit, një afat i vendosur nga vetë opozita.

Vetë Lulzim Basha ka qëndruar larg kësaj teme këtë të enjte, duke zgjedhur që të lërë Tiranën për takime në fasoneritë e Durrësit. Por, ka qenë Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi ai që e ka futur në valle. Ky i fundit ka zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e opozitës, me gjasë për t’i rikujtuar se reforma zgjedhore është një prej kushteve për hapjen e negociatave.

Basha konfirmoi këtë bisedë dhe përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se mesazhi u mor.

“Bisedë shumë e frytshme me Komisionerin për Zgjerimin, OliverVarhelyi. E falënderova për mbështetjen e tij dhe theksova përpjekjet e Partisë Demokratike për të kontribuar për reformën zgjedhore. Nënvizova se vullneti politik është vendimtar si për ta përfunduar reformën, edhe për të garantuar zgjedhje demokratike, të lira nga shitblerja e votës dhe nga ndikimi i krimit të organizuar”, shkruan kreu i PD-së.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi përshëndeti rinisjen e punës në Këshillin Politik, por kujton rëndësinë e përmbylljes së reformës pa asnjë vonesë, ashtu siç kërkohet edhe nga përfundimet e Këshillit Europian, kur vendosi hapjen e negociatave me kushte në fund të marsit për Shqipërinë.

Në Tiranë, Yuri Kim vazhdonte takimet e saj me aktorët politikë. Nga mazhoranca u takua me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe me kreun e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Takimi është zhvilluar në zyrën e kreut të Kuvendit dhe kryetema e diskutimit ka qenë pikërisht reforma zgjedhore. Nga njoftimi i shkurtër i shpërndarë nga Kuvendi mësohet gjithashtu se takimet me Ruçin dhe Manjën, Kim i ka zhvilluar ndarazi.

“Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës zgjedhore, të reformës në drejtësi dhe të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, pas momentit historik të vendimit për çeljen e negociatave nga Bashkimi Europian. Suksesi i reformës zgjedhore dhe i reformës në drejtësi është jetik për ecjen përpara të Shqipërisë, zhvillimin e vendit, konsolidimin e demokracisë dhe suksesin e proceseve integruese. Më herët, Ambasadorja Yuri Kim, pati një takim edhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, z. Ulsi Manja”, thuhet në njoftim.

Në mes të lëvizjeve dhe takimeve të Yuri Kim dhe ndërhyrjes nga Brukseli të Komisionerit Varhelyi ka reaguar edhe OSBE. Vetë kreu i përfaqësisë së Tiranës së këtij institucioni ka dalë me një deklaratë ku rikujton për të gjitha palët në Këshillin Politik rekomandimet e bëra ndër vite nga misionet e ODIHR. Mes këtyre rekomandimeve, Bernd Borchardt rendit si të parën depolitizimin e administratës zgjedhore.

“Ne po ndjekim përpjekjet e partive për kompromis për çështjet të cilat OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si problematike për shumë vjet tashmë: depolitizimi i administratës zgjedhore, balanca gjinore në listat zgjedhore, ngritja e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, mekanizma më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrolli dhe transparenca e financimit të fushatës, transparenca e medias gjatë zgjedhjeve dhe dhënia fund e praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme”, thotë Borchardt.

Opozita e sheh me rezerva këtë rekomandim, duke deklaruar se nuk mund të ketë depolitizim të administratës zgjedhore nëse nuk ka më parë depolitizim të të gjithë administratës publike.

Palët në Këshill kanë gjetur dakordësinë për një sërë çështjes, duke filluar që me financimin e partive, kuotat gjinore dhe periudhat zgjedhore, por nuk kanë mohuar faktin se kanë ndasi të forta për çështje të tjera që opozita i cilëson më thelbësore të procesit.

“Problematikat kryesore të procesit zgjedhor nuk janë këto. Ajo që duhet patjetër të garantojmë ne është mbrojtja e zgjedhësit që ai ta hedhë votën i lirë dhe në sekret të plotë. Është një rekomandim shumë i rëndë nga ODIHR, pasi konstaton që liria dhe sekreti i votës cenohet ka rekomanduar që të merren masa. Ajo që kemi në diskutim janë masat mbi rolin e policisë, prokuroria dhe SPAK në goditjen e krimit zgjedhor që intimidon zgjedhësit dhe cenon lirinë, masat që do të merren për të mbrojtur votën, që teknologjia të shërbejë që të mos mbushet kutia nga komisionerët. Këto janë problemet reale, garantimi që vota është e vërtetë dhe numërimi pa manipulim. Çështjet e tjera janë rreth këtij boshti. Kjo është sfida e madhe për të cilat ne do të kërkojmë konsensus pa hequr dorë deri në ditën e fundit”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi ditën e martë.

Ndasitë lidhen me rolin e organeve ligjzbatuese në procesin zgjedhore, ku PD kërkon përforcimin e këtij roli, madje duke përfshirë në këtë pjesë edhe SPAK-un dhe të gjitha prokuroritë e tjera. Po ashtu, ndasi ka edhe për përbërjen e Kolegjit Zgjedhor. PS këmbëngul që pjesë e këtij kolegji të jenë vetëm gjyqtarët që kanë kaluar procesin e vettingut, ndërsa opozita, që e ka sulmuar këtë proces si të kapur nga socialistët kërkon që pjesë e kolegjit të jenë edhe gjyqtarë që nuk e kanë kaluar vettingun.

Mbetet për t’u parë nëse palët do të lëshojnë llogoret nga ku janë pozicionuar dhe do të afrojnë qëndrimet mbi këto çështje, por koha nuk pret. Në orën 17:00 pritet që të nisë mbledhja e Këshillit Politik, që deri më tani sinjalizon një takim të gjatë e të lodhshëm, vetëm nëse më parë Yuri Kim dhe Luigi Soreca ja dalin mbanë që të bindin të gjitha palët në gjetjen e një rruge të mesme. Ambasadorja amerikane dhe kreu i zyrës së BE-së në Tiranë do të zhvillojnë një takim me të katër përfaqësuesit në Këshillin Politik para se ky këshill të mblidhet në orën 17:00.

Ndërkohë, nga Kuvendi ka lajme të reja. Edmond Stojku, kryetar i grupit parlamentar “Demokraci dhe Drejtësi”, që përbëhet nga nëntë deputetë i ka dorëzuar Gramoz Ruçit një letër ku i kërkon që të bëhet pjesë e Këshillit Politik për të përfaqësuar këtë grup të opozitës parlamentare.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë