Politike

A po shkohet drejt një pakti për zgjedhjet, dhe çfarë po luhet në tavolinë…

Mbasditen e së martës, Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi një takim të paralajmëruar me Lulzim Bashën në selinë e PD-së. Në atë takim, sipas Yuri Kim, u fol për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Kujtoi afatin fundor të vendosur nga partitë për reformën zgjedhore, dhe mori angazhimin e plotë të Lulzim Bashës për të pasur rezultate konkrete.

Pas ambasadores amerikane, të mërkurën në selinë blu trokiti një tjetër ambasador; ai gjerman. Edhe gjatë këtij takimi, PD-ja njoftoi jo zyrtarisht se u fol për reformën zgjedhore. Basha mblodhi gjithashtu ekspertët zgjedhor në një takim dy orësh.  

Mbrëmjen e së mërkurës, në zyrën e tij kanë behur Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili. Edhe ata për zgjedhjet.  Kryemadhi shkoi në selinë e PD-së pas një takimi që kishte zhvilluar më herët me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman.

Takimet e ngjeshura vijnë pak ditë para afatit të caktuar (31 maj) për mbylljen e reformës zgjedhore. Në parim janë miratuar disa çështje, ndërsa ka predispozitë për të gjetur konsensus edhe për temat më të nxehta.

Eksperienca e deritashme ka treguar se sa herë në kohë “paqe” ka lëvizje nga selitë diplomatike dhe takime intensive mes palësh për një çështje të caktuar, diskutimet përgjithësisht janë mbyllur me një produkt konkret.

Burime nga dy partitë e mëdha përcollën për gazetën “Si” një qëndrim të përgjithshëm se ka vullnet për të zgjidhur çështjet pezull, por pa sqaruar konkretisht.

”Ajo që duhet patjetër të garantojmë ne është mbrojtja e zgjedhësit që ai ta hedhë votën i lirë dhe në sekret të plotë. Është një rekomandim shumë i rëndë nga ODIHR, pasi konstaton që liria dhe sekreti i votës cenohet ka rekomanduar që të merren masa. Ajo që kemi në diskutim janë masat mbi rolin e policisë, prokuroria dhe SPAK në goditjen e krimit zgjedhor që intimidon zgjedhësit dhe cenon lirinë, masat që do të merren për të mbrojtur votën, që teknologjia të shërbejë që të mos mbushet kutia nga komisionerët…”, tha Oerd Bylykbashi dy ditë më parë.

Më shumë sesa çështjet që janë shtruar në tryezën e Këshillit Politik, primare nga PD-ja mbetet krijimi i një qeverie tranzitore tre muaj para zgjedhjeve e rihedhur në tryezën e punës pas prishjes së Teatrit.

Burime nga PD-ja thanë se kjo çështje mbetet ende temë diskutimi, ndërsa ditët e fundit po hidhet (kryesisht në shtyp) ideja e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në muajin tetor.

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, tha të mërkurën se, “mund të ketë zgjedhje lokale, nëse do të ngrihet Gjykata Kushtetuese që do të jetë dhe vendimi i parë, ose edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në tetor”

Qëndrimi i Ndokës në fakt nuk lidhet me një diskutim konkret që ai dhe aleatët kanë zhvilluar me Lulzim Bashën. Gjithçka rreth kësaj ideje po diskutohet jo formalisht mes zërave të ndryshëm (të çdo lloj stature) nga të dyja kampet politike, ndërsa produkti konkret do të jetë i fundit që do të komunikohet zyrtarisht. Deri atëherë, të gjitha kartat, po aq dhe hipotezat për zgjedhjet janë të hapura…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë