Politike

Zgjedhorja, të gjithë e duan teknologjinë, por ndahen se sa

Katër orë diskutime në Këshillin Politik kanë afruar palët në disa pika për reformën zgjedhore, por ato mbeten ende larg sa u takon çështjeve të ndjeshme, duke nisur që me përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, e deri tek roli i Policisë së Shtetit në to.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi foli për mungesë vullneti nga ana e mazhorancës që të fusë në qendrat e votimit identifikimin biometrik, pra identifikimin përmes shenjave të gishtërinjëve, apo çipeve të kartave të identitetit, si masë parandaluese për të shmangur votimin familjar në emër të emigrantëve.

"U diskutua një çështje e rëndësishme por për fat të keq sot doli qartë se mazhoranca nuk është e gatshme të ecë në këtë drejtim që të fusë identifikimin dhe numërimin biometrik në qendrat e votimit në mënyrë që të mos ketë votim familjar në emër te emigrantëve që s'kanë ardhur kurrë në Shqipëri dhe që komisionerët të mos mbushin kutitë me vota të rreme”, tha përfaqësuesi demokrat.

Megjithatë, Bylykbashi nënkuptoi se opozita mund të lëshojë terren në këtë pjesë dhe thotë se në mbledhjen e radhës, të vendosur në orën 11:00 të paradites së të premtes pret propozimet konkrete të socialistëve.

“Shpresojmë që mazhoranca të vijë me propozime konkrete të identifikimit biometrik dhe të ketë një sistem pilot për votimin dhe numërimin elektronik dhe kjo të dal si një detyrim për KQZ dhe Qeverinë që të mos manipulohen zgjedhjet. Po nuk u bënë këto të dyja nuk kemi garanci që nuk do të ketë vota të falsifikuara në zgjedhje. Identifikimi biometrik është thelbësisht i lidhur me marrëveshjen e administratën zgjedhore ku zgjedhësi voton, vota e tij numërohet dhe nuk ka manipulime. Identifikimi biometrik dhe sistemi pilot i votimit duhet të jenë të shkruara me garanci në Kodin Zgjedhor. Ne jemi të gatshëm që të qëndrojmë me orë të tëra për të përmbyllur reformën, por pa këto dy çështje nuk ka garanci", vijoi më tej Oerd Bylykbashi.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike thotë se opozita i qëndron besimit se SPAK duhet të jetë institucioni i vetëm që heton korrupsionin zgjedhor dhe pranon se në lidhje me rolin e Policisë së Shtetit nuk ka gjetur dakordësinë e socialistëve.

Parimisht, socialistët thonë se janë dakord me kërkesën për identifikimin dhe numërimin biometrik, por kërkojnë që kjo të bëhet gradualisht duke e filluar me projekte pilot dhe pas hartimit të planeve të zbatimit të tyre të kalohet shkallë-shkallë në të gjithë vendin. Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri tha se kjo është edhe këshilla e ODIHR, që sipas socialistëve për zgjedhjet e radhës këshillon që të mos shtrihet më shumë se 10 për qind të territorit.

“Dëshira jonë është ta shtrijmë sa të jetë e mundur, por konsulta ODIHR thotë se teknologjia duhet të shtrihet gradualisht dhe në mënyrë të qartë. Kjo nuk është listë dëshirash, por duhet të mësojmë nëse teknologjia të përfshihet pjesore, ose me shkallë, por jo në të gjithë vendin. Zgjedhjet nuk mund të vihen në dyshim sepse dështon teknologjia. Dakordësinë e kemi dhënë, por kërkojmë një plan zbatimi. Jemi të gatshëm ta çojmë deri në 10 për qind të vendit, siç thotë ODIHR. Synimi është që ta përfshijmë këtë”, deklaroi ai.

Mes rekomandimeve të ODIHR është edhe depolitizimi i administratës zgjedhore. Gjiknuri tha se në momentin që u hap kjo çështje, opozita u tërhoq duke deklaruar se pa marrë përgjigje për kërkesat e saj për identifikim dhe numërim biometrik nuk mund të vazhdojë më tutje me diskutimet.

Burime të gazetasi.al bëjnë me dije se socialistët do të këmbëngulin tek kjo pjesë, ndërsa nga mbledhja e maratonë e kësaj të enjte nënkuptohet se opozita është tërhequr nga kërkesa për qeveri kujdestare. Në vend të kësaj, opozita ka kërkuar që 100 ditë para zgjedhjeve të vendoset në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit një figurë ushtarake, ose e vetë policisë me konsensusin e të dyja palëve. PS e rrëzoi këtë.

“Policia e Shtetit është organ meritokratik që nuk vlen vetëm për zgjedhje dhe nuk ka asnjë model në botë që të themi se duhet të vëmë një drejtor policie përkohësisht për zgjedhje. Këto janë çështje që nuk mund të adresohen. Kishin ministër të Brendshëm në 2017, tani kërkojnë drejtorin e Policisë së Shtetit”, tha ai.

Në lidhje me ndryshimin e sistemit zgjedhor, Gjiknuri tha se është rënë dakord që kjo temë të trajtohet për një fazë të dytë, nëse propozimet kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë. Gjiknuri tha se edhe PS e ka një opinion në lidhje me çështjen e sistemit, por rezervon të drejtën që të shprehet e fundit për këtë temë.

“Kemi marrëveshje që çështja e sistemit, kur kërkon ndërhyrje kushtetuese do të ndërhyhet në një fazë të dytë. Nëse të gjitha partitë bien dakord ne do të flasim. Edhe ne kemi mendimin tonë për sistemin, por rezervojmë që të flasim të fundit”, u shpreh ai.

Përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari e cilësoi tryezën maratonë pa produkt. Ajo tha se nuk u ra dakord që identifikimi dhe numërimi elektronik të shtrihet në të gjithë vendin dhe se diskutimet për këtë çështje do të vijojnë ditën e premte. Por, Hajdari tha gjithashtu se ndryshimi i sistemit nuk është larguar nga tryeza e Këshillit.

“Patëm dakordësi që të trajtojmë sistemin danez nesër. Ndryshimi i sistemit, ose të paktën hapja e listave duhet të jetë çështja kryesore e reformës, të tjerat janë arnime dhe nuk mund të quhet reformë”, u shpreh Hajdari.

Ndërkohë, gazeta Si mëson se palët kanë rënë dakord për praninë e policisë në qendrat e votimit përgjatë të gjithë procesit dhe vendosjen e kamerave të vëzhgimit si në qëndrat e votimit, ashtu edhe në qëndrat e numërimit.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë