Politike

Reforma zgjedhore/ Bardhi-Berisha kërkojnë bashkëdrejtimin, por Alibeaj depoziton draftin në emër të PD: Të ndryshojmë sistemin    

Ndërsa grupi Bardhi-Berisha kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në bashkëdrejtimin e komisionit të reformës zgjedhore me zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, Enkelejd Alibeaj, aktualisht bashkëdrejtues i komisionit në emër të PD-së zyrtare, ka dalë të premten në mesditë me një projektligj të tijin.

“Së pari, Partia Demokratike është e bindur se sistemi zgjedhor në Republikën e Shqipërisë do të duhet të ndryshojë... Sistemi zgjedhor i propozuar prej nesh bazohet tek listat e hapura. Listat e hapura të cilat janë edhe një detyrim edhe të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka udhëzuar kuvendin e Republikës që në kodin zgjedhor, sistemi do të duhet të bazohet pikërisht tek këto listat e hapura. Sipas së cilave do të duhet që t’i japin të drejtë qytetarëve shqiptarë të jenë ata që zgjedhin përfaqësuesin e tyre. Të jenë ata që zgjedhin deputetin e tyre dhe të mos jetë kryetari I partisë I cili përcakton se kush do të jetë përfaqësuesit dhe qytetarët të jenë të detyruar të bëjnë një zgjedhje që ia cakton dikush tjetër”, tha Alibeaj duke nënvizuar së kjo është çështja e parë.

“Çështja e dytë e cila shkon në të njëjtën linjë logjike, ka të bëjë me atë që sistemi zgjedhor në Shqipëri do të duhet të jetë proporcional kombëtar. Dhe propozimi i Partisë Demokratike që do të depozitohet në komisionin e reformës zgjedhore, të jetë që Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore. Sistemi I deritanishëm, I cili fragmenton në 12 qarqe, në 12 zona zgjedhore, ka nxjerr të gjitha defektet dhe manipulimet me sistemin që bëhet zgjedhjes dhe përfaqësimit të shqiptarëve në parlament. Sistemi me një zonë zgjedhore krijon atë që është nevojë dhe detyrim kushtetues barazinë e votës të çdo qytetari shqiptar. Si zgjedhësi në Kukës ashtu edhe zgjedhësi në Tiranë, vota e tyre do të jetë e barabartë, pasha e tyre e zgjedhjes së deputetit do të jetë e barabartë. Ndaj këto janë dy element që shkojnë në harmoni me njëri-tjetrin, listat e hapura dhe sistemi proporcional kombëtar, pra me një zonë zgjedhore”, tha ai.

Më tej ai tha se, Partia Demokratike ka draftuar projektligjin përsa i përket votës së diasporës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë