Politike

Rebelohet Rudina Hajdari, thyen vendimin e PD, shkon në Kuvend

Partia Demokratike kishte marrë vendim që të shkonin vetëm 4 deputetë në Kuvend, Luçiano Boçi, Izmira Ulqinaku, Ervin Salianji dhe Valentina Duka. Të tjerët nuk duhet të paraqiteshin në Parlament. Por në sallën e Parlamentit ishte e pranishme deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, vajzës së liderit të Dhjetorit ’90. Siç mësohet prezenca e saj ishte në kundërshtim me vendimin e grupit të PD-së. Demokratja gjithashtu foli edhe në seancën e Parlamentit, duke bërë kështu që edhe të shpëtojë mandatin e Parlamentit.   

Ajo gjatë fjalës së saj vlerësoi protestën e studentëve, si dhe lëshoi akuza ndaj politikës dhe politikanëve për të cilën ka thënë se nuk e duan këtë vend, ndërkohë që studentët sipas saj, janë të lodhur me ta, me çdo lloj politikani.
“Sot kam ardhur vetëm për një arsye. Jo për t’ju drejtuar këtij Parlamenti, as për t’ju thënë që kam ardhur këtu të marr një llokmë të studentëve, që t’ju them që jam këtu për të marrë mbështetjen e studentëve. Unë i dua ata studentë, atyre bravo ju qoftë që po ndryshojnë historinë e këtij vendi. Unë kam ardhur këtu për një arsye të vetme, për t’ju thënë ju që rrini nëpër kafe aty që asnjë nuk është në këtë seancë, dhe këtu kushdo që foli ishte një kryehajdut që asnjë nuk e do këtë vend dhe s’keni për ta dashur. Dhe nëse doni ju ndryshim në këtë vend, sillni Kodin Zgjedhor këtu. Mos i mbani listat e mbyllura! Silleni këtu ta votojmë. Dhe atëherë do pastrojmë këtë Parlament. Do pastrojmë këtë kastë politike dhe do e ndryshojmë këtë vend. Doni ndryshim për studentët? Ndryshoni auditorët, kapni ata pedagogët aty. Ky është ndryshimi”, theksoi Hajdari.
Ndërsa sulmoi klasën politike, duke theksuar se studentët janë të lodhur nga çdo politikan.
“Nëse doni këtë vend mendoni seriozisht për vendin tuaj dhe mos hajdeni këtu të na bëni shou politik sepse jemi të ngjeshur. Ky vend është i ngopur. Këta studentë që dalin aty jashtë, nuk dalin sepse vetëm thjesht duan ndryshime. Ata janë të lodhur nga çdo politikan, janee tee lodhur nga ju, nga këta, nga çdo lloj politikani. Kanë humbur besimin nga çdonjëri prej jush”, theksoi Hajdari.

Pas pjesëmarrjes në seancë, demokratja ka reaguar duke theksuar se nuk e ka thyer rregullin e PD-së. “Nuk e theva unë rregullin, rregulli u thye që në 10 të mëngjesit, me ardhjen e opozitës në Kuvend. Unë thjesht bëra detyrën time”, shkruan Hajdari në Facebook.
Demokratja Rudina Hajdari po shfaqet hapur kundër qëndrimeve politike të mbajtura nga lidershipi i PD-së. Këtë ndasi me linjën zyrtare të PD-së, ajo e bëri gjatë ceremonisë së 8 dhjetorit në nderim të lëvizjes së studentëve të vitit 1990, ku frymëzuesi e lideri ishte babai i saj, Azem Hajdari.
Deputetja mori fjalën në këtë ceremoni, duke theksuar se ishte diçka spontane, pasi nuk ishte e planifikuar. Më pas ajo lëshoi deklaratën e fortë se ishte e gatshme që dorëzonte mandatin e deputetit.

Demokratja Rudina Hajdari, duke folur në ceremoninë e zhvilluar më 8 Dhjetor nga PD-ja në Qytetin Studenti

“Unë nuk kisha parashikuar të flisja sot por kam kënaqësinë të flas para jush, dhe sot dua t’i bëj një betim tim ati, t’iu bëj një betim të rinjve se jam gati të lë mandatin tim për t’iu bashkuar të rinjve sot për luftën e tyre. Nuk jam kthyer në Shqipëri për një post, për të qenë një deputete, por jam kthyer për të ardhmen e Shqipërisë, për vëllezërit e mi, për vajzën time, për të çuar amanetin e babait tim deri në fund. Prandaj, sheshi i demokracisë sot nuk është këtu, është tek Ministria e Arsimit dhe ne sot duhet të shkojmë t’i bashkohemi studentëve. Falënderoj ish-studentët e dhjetorit, si dhe çdo njeri që luftoi për demokracinë, por sot ka ardhur koha për një demokraci tjetër, për një demokraci që nuk zhvat dhe largon të rinjtë jashtë Shqipërisë. Ne e kemi vendin këtu dhe ne këtu do të luftojmë dhe ta bëjmë këtë vend si gjithë Europa”, theksoi demokratja Hajdari në fjalën e saj më 8 dhjetor në ceremoninë e mbajtur në Qytetin Studenti.
Por a do të ndërmarrë një lëvizje të re politike brenda PD-së, vajza e liderit të Dhjetorit ’90?
Vetë demokratja nuk e përjashton një mundësi të tillë, pasi ka paralajmëruar takime me bazën demokrate përpara se të marrë një vendim përfundimtar. Ndërsa po anë të një postimi në Facebook, ka bërë të qartë kontestimin që ka me linjën aktuale politik që po mban lidershipi i PD-së.   

“Dua gjithashtu t’ju sqaroj se, heshtja ime këtë fundjavë erdhi si pasojë e takimeve të ndryshme, angazhimeve dhe deklaratave të shumta mbështetëse nga anëtarët e partive të ndryshme dhe njerëzve jashtë politikës, të cilët më kanë kontaktuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, më kanë pyetur nëse kam ndërmend të ndahem nga Partia Demokratike për të formuar bllokun tim parlamentar. Por unë i qëndroj edhe një herë fjalëve të mia se, po e konsideroj me seriozitet dorëzimin e mandatit tim. E kam vështirë të shikoj një të ardhme brenda një partie që po duket sikur po nuk po kuptohet nga populli gjithsesi. Një parti nuk shkon dot kurrë në fitore, as me foto me figura të larta politike, dhe as me thirrje nacionaliste. Flas këtu për dështimin e të gjitha partive, sepse këto janë rrugët që po ndjekin për të shpëtuar veten. Partia e Lëvizjes Socialiste për Integrim e bëri punën e saj dhe i shërbeu Ilir Metës deri në ngritjen dhe ringritjen e tij. Tani kjo organizatë është pa udhëheqje, por me përfaqësim. Ndërkohë, Partia Socialiste është në prag të vetëvrasjes politike. BE-ja është e lodhur me të dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk i beson më askujt. Pra, jemi në një udhëkryq të madh. Megjithatë, para se të heq dorë nga mandati im, kam detyrim ndaj atyre që më qëndruan pranë gjatë kësaj kohe, ndaj atyre që më votuan. Do të takohem me ta, dhe do ta diskutoj me ta vendimin tim, sepse ndjej detyrim madhor ndaj tyre. Pra, ky është vendimi im, dhe janë studentët e sotëm që më frymëzuan të ndërmarr këtë hap. Prandaj them që nuk ka kthim mbrapa”, do të theksonte demokratja Hajdari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë