Shendet

Realiteti Virtual: E ardhmja e terapisë?

Teknologjia ka përparuar në atë fazë, ku mendja dhe trupi e përjetojnë botën virtuale si të vërtetë. Sikur të ishe vërtet aty. Si terapeut i bazuar në meditim, qasja e së cilës fokusohet në të qenit të pranishëm në përvojën tonë, mendoj nëse përvojat virtuale do të ishin një ndihmë terapeutike. Pavarësisht shqetësimeve rreth ndikimit në shëndetin tonë mendor, ka të paktën dy praktika terapeutike në Realitetin Virtual – ajo e të qenit të pranishëm në përvojat tona të vështira dhe vetë-dhembshuria.


Së pari, si e ndërtojmë realitetin e çdo dite?
Si rezultat i shumë viteve përvojë; ngjarje, marrëdhënie, kushtëzime kulturore, gjenet e paraardhësve dhe një shtysë e brendshme fiziologjike për mbijetesë. Me këtë përzierje zhvillojmë një kuptim se kush jemi, historinë dhe identitetin tonë dhe, e perceptojmë botën përmes këtyre lenteve.


Të jemi me përvojat tona të vështira
Një sferë e fokusit në terapi është dobësimi i këtyre lenteve: të ndryshojmë perceptimin dhe marrëdhënien me përvojat që na shkaktojnë mungesën e lumturisë. E nisim këtë duke vërejtur impulset që sjell përvoja jonë. Në vend të luftojmë me gjykimin kritik apo ndrydhjen e atyre impulseve, praktikojmë pranimin e tyre siç janë. Duke e bërë këtë, bëjmë pak vend për të luajtur.

Po sikur të ekzistonte një mënyrë e sigurt për ta eksploruar këtë proces? Këtu hyn në lojë Realiteti Virtual.
Në Realitetin Virtual mund të ndërtoni çdolloj mjedisi virtual, që mendja mund të imagjinojë. Me të vendosur aparatin dhe kufjet ndihet – konjitivisht, fizikisht dhe emocionalisht- si krejt e vërtetë. Besoni se jeni atje dhe në të njëjtën kohë nuk jeni.
Terapitë e ekspozimit gradual e kanë eksploruar këtë potencial, duke i ftuar njerëzit në skena virtuale që përshkruajnë frikërat e tyre. Qoftë kjo lartësia, merimangat apo të folurit në publik, shumë pjesëmarrës kanë përjetuar një reduktim të ankthit që lidhet me frikën e tyre. Praktika për të qenë pranë përvojës sonë, qoftë edhe e parehatshme, na lejon të ndryshojmë marrëdhënien tonë me të.

Të ushqejmë dhembshurinë për veten
Një mënyrë mbështetëse e të qenit me përvojat e vështira është kultivimi i dhembshurisë për veten. Kërkimet kanë treguar se mund të ndikojë pozitivisht në shëndetin dhe mirëqenien, megjithëse zhvillimi mund të jetë i vështirë. Veçanërisht për atë , mendja e të cilit jehon tingullin e zërit kritik. Është e lehtë të biesh në kurthin e të trajtuarit të zërit të brendshëm kritik me ashpërsi, të duash ta shtysh tutje, ndërkohë që kështu u japim energji emocioneve të urryeshme. Zhvillimi i një zëri dhembshurie mund të jetë një aspekt i rëndësishëm i terapisë. Meditimet gjithashtu mbështesin kultivimin e kësaj cilësie, përmes vizualizimit të mirësisë ndaj vetes dhe të tjerëve. Në Realitetin Virtual po përpiqen të zhvillojnë diçka të ngjashme. Është krijuar një mjedis virtual, në të cilin pjesëmarrësit i japin dhembshuri një fëmije virtual, që qan. Pjesëmarrësit më pas mishërojnë fëmijën dhe u kthehen mbrapsht fjalët dhe gjestet e dhembshura. Kjo simulon përvojën e reciprocitetit të dhembshurisë dhe çon në pakësim të simptomave depresive për disa. Nëse doni t’i jepni dhembshurisë një dorë, shkoni me ndjeshmërinë. Realiteti Virtual mund t’ju ndihmojë duke ju lejuar të përjetoni botën, përmes perspektivës së një tjetri. Të jeni në trupin virtual të një refugjati, një kafshe në thertore apo një koraleje në një shkëmb të aciduar, mund të shfaqë ndjeshmëri më të madhe.


A është Realiteti Virtual e ardhmja?
Ka shumë mënyra të tjera kreative, ku Realiteti Virtual po përdoret për të ndihmuar shëndetin mendor, përfshirë meditime të udhëzuara apo relaks i thellë, si edhe mjediset virtuale që ndezin dëshirën për drogë dhe alkool, për të ndihmuar parandalimin e rikthimit në to. Një hapësirë virtuale, ku terapeutët angazhohen me ata që e kanë të vështirë të dalin nga shtëpia për shkak të pamundësive fizike, mund të përmirësojë aksesin ndaj ndihmës psikologjike. Dhe duke pasur parasysh popullaritetin e teknologjisë me të rinjtë , mund të jetë një mënyrë kreative e ndërveprimit me ta në çështjet e shëndetit mendor.

Por ka gjithashtu një anë potencialisht të errët.
Ata që luftojnë me ndjenja të dhimbshme, mund të tërhiqen në zonën e sigurt të Realitetit Virtual, duke përforcuar kështu shkakun e dhimbjes. Dhe, si munden përvojat tona në Realitetin Virtual, të mira dhe të këqija të depërtojnë në botën tonë reale? A mundet truri dhe trupi të gënjehen në përjetimin e një traume të vërtetë? Diçka që ka potencialin t’u sjellë njerëzve aq kënaqësi ( akses më të lehtë drejt seksit, dhunës, arratisje nga realiteti) duhet trajtuar me kujdes. A mund të jetë Realiteti Virtual droga e ardhshme ndaj së cilës do të krijojmë varësi?
Ka padyshim disa mundësi emocionuese për aplikimin e tij, por me një kërkim të pakët afatgjatë në efektet e përdorimit të tejzgjatur e të pakontrolluar, duhet pasur kujdes.
*Ben Dough/ welldoing.org


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë