Futboll

Reali i kthehet merkatos ‘galaktike’, njëri mes Haland dhe Mbape për ‘Bernabeun’ e ri

Gazeta Si – Real Madrid është gjithmonë në qendër të merkatos së futbollit. Dëshira për të inauguruar ‘Santiago Bernabeun’ e ri me një ‘galaktik’ është shumë e madhe dhe dy janë emrat kryesorë që diskutohen në kryeqytetin spanjoll.

Ata që mund ta mbajnë peshën e Realit janë Kilian Mbape dhe Erling Haland. Orët e fundit dy specialistë të merkatos spanjolle e kanë quajtur fakt të kryer akordin mes sulmuesit të PSG-së dhe Realit. Prej së hënës së kaluar, Mbape, kontrata e të cilit skadon më 30 qershor, është i lirë të bisedojë me çdo klub. Megjithatë, lajmi është pritur pak ‘ftohtë’ në Madrid.

Sepse te Reali dhe ambientet gazetareske pranë këtij klubi e menduan të kryer afrimin e Mbape edhe një vit më parë, por për arsye të ndryshme ai qëndroi në Paris. Tani është e njëjta situatë, me dyshimet e lojtarit që sjellin edhe pak irritim te madrilenët. Askush nuk e merr më të mirëqenë lajmin e kalimit të Mbape te Reali.

‘As’ i jep një drejtim tjetër merkatos së Florentino Perez. E përditshmja spanjolle fokusohet te Haland, duke bërë të ditur se klubi spanjoll i ka mundësitë financiare për ta përballuar klauzolën e prishjes së parakohshme të kontratës me Mançester Sitin.

Në ‘Shtëpinë e bardhë’ kanë shpenzuar gati dyfishin për modernizimin e ‘Santiago Bernabeut’ dhe duket se janë gati që ta vënë në funksion atë gjatë 2024-ës, duke pasur kështu mundësinë e arkëtimit. Janë parashikuar që tani një sërë koncertesh, çka do të thotë se krijohet edhe mundësia financiare për të bërë një investim të rëndësishëm për skuadrën.

Te Haland, që bën pjesë në ‘skuderinë’ e Rafaela Pimientas, sytë janë hedhur prej kohësh. Por Siti nuk bindet kollaj dhe pengesë ka qenë klauzola prej 100 deri 200 milionë eurosh.

Florentino Perez do të bëjë gjithçka për t’u dhuruar tifozëve një super lojtar, pas Xhud Belingham, duke dashur t’i qëndrojë idesë me një goditje në vit, siç ka bërë gjatë epokës galaktike. Viti sapo ka nisur dhe në fokus janë Mbape dhe Haland.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë