Futboll

Real, tronditet stoli i Zidane, dy ndeshje afat për të shpëtuar punën

Një humbje e papritur, e pabesueshme për shumë arsye por që ka hijen e lamtumirës së Zinedine Zidane. Pas dështimit kundër Shakhtar, tekniku i Real Madrid ka dy ndeshje për të rifituar pozitën e tij dhe për të karikuar një ambient krejtësisht depresiv: para së gjithash Clasico kundër armiqve të përjetshëm, Barcelona e pastaj sfida e Champions League kundër Borussia Moenchengladbach që ka treguar në San Siro sa vlen. Vizita blitz, vetëm tre minuta, e presidentit Perez në dhomat e zhveshjes kanë certifikuar momentin negativ  të skuadrës. Fytyra të zymta e të gjithë kokëulur, gati të dorëzuar.

Zidane ka premtuar të rregullojë problemet e pazgjidhura të skuadrës, por është e qartë se skuadra ka limite të mëdha edhe në karakter. Humbja e dytë e shëmtuar, pas saj me Cadiz, zbulon një situatë që mund të degradojë shpejt. Mungesa e publikut ka bërë që llogaria të ishte më pak e kripur, por tani Perez (njeriu që donte fort rikthimin e Zidane), nuk pret më. Tani duhen rezultate. Asgjë më shumë e asgjë më pak.

“Më vjen keq për atë që po ndodh (dy humbje radhazi), nuk e pashë skuadrën si ia kisha kërkuar djemve. Luajtëm keq, ka pak për të thënë. Tani mendja tek Clasico”, ka thënë Zizou.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë