Komunitet

Reagon Meta pas aksidentit në Qafë-Muzinë, apel qytetarëve dhe Policisë

Pas aksidentit të rëndë të ndodhur sot në Qafë-Muzinë, ku humbën jetën 5 persona, ka reaguar Presidenti Ilir Meta. Me një postim në faqen e tij zyrtare, pasi shpreh ngushëllimet për familjet e personave që humbën jetën, kreu i shtetit bën edhe një apel për qytetarët dhe Policinë Rrugore.

“Thellësisht i pikëlluar për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë. Ndaj dhembjen e thellë dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe të gjithë solidaritetin familjarëve të tyre!

Të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë dhe i përgëzoj autoritetet shëndetësore për kujdesin dhe ndihmën që po u japin në këto momente të vështira!

Një apel të fortë u bëj të gjithë qytetarëve për të udhëtuar me shumë kujdes dhe dëshmuar përgjegjshmëri të lartë në drejtimin e automjeteve, në mënyrë që të tilla tragjedi tronditëse të shmangen në të ardhmen.

E nxis Policinë Rrugore dhe çdo strukturë tjetër përgjegjëse, që në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik, të marrin çdo masë efektive për parandalimin e aksidenteve kaq të rënda, që fatkeqësisht po bëhen kaq të shpeshta në rrugët e Shqipërisë”, - shkruan Meta në postim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë