Mjedis

Reagimi për guroren dhe fabrikën e bitumit në Fierzë: Kundër dëmtimit të mjedisit, pro agroturizmit

Gazeta "Si"- Shoqata e Agroturizmit ka mbështetur banorët e Fierzës të cilët kundërshtojnë vendimin e Këshillit Bashkiak për leje ndërtimi të një gurore dhe fabrike prodhimi bitumi.
Sipas Shoqatës, kjo jo vetëm ndot mjedisin; një nga zonat me një florë dhe faunë të pasur por edhe shpopullon zonën.
“Banorët do të përballen jo vetëm me një zonë të de-natyruar por edhe burim sëmundjesh. Një ndërtim i tillë pengon drejtpërdrejt iniciativat e të rinjve për të investuar në agroturizëm, në bujqësi, në sipërmarrje të tjera të turizmit rural”, thekson Shoqata.
Një tjetër arsye është edhe fakti që ajo pengon zhvillimin socio-ekonomik të zonës.
“Nuk do të jetë më një zonë tërheqëse për emigrantët të cilët duan që kursimet e tyre t’i investojnë në vendlindjen e tyre të bukur. Plani i ndërtimit është në një distancë të afërt me shkollën, banesat e komunitetit dhe 600 metra distancë nga Agroturizëm Bujtina Adora.
Kjo e fundit, është një nga ato investime të mrekullueshme, nga një emigrant i rikthyer me dashurinë e madhe që kursimet e jetës të shërbejnë edhe për ri-vitalizmin e zones”, thotë ajo mandej.
Veç të tjerash, ky ndërtim është shumë i shëmtuar sipas Shoqatës së Agroturizmit dhe pasojat e kësaj shëmtie do të jenë një kosto që do ta paguajnë brezat e ardhshëm të kësaj zone.
Ndaj, Shoqata shprehet se kërkon urgjentisht reagimin dhe ndërhyrjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për ta ndaluar vazhdimin e kësaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë