Propozim i SI

Rasti studimor i qytezës Vo: Testim të gjithëve, izolim total

Qyteti i vogël Vò, në veri të Italisë, ku u regjistrua edhe viktima e parë e koronavirusit në vendin fqinj, është kthyer në modelin më të suksesshëm në botë për përmbajtjen e koronavirusit. Vo është kthyer tanimë në një rast studimor që tregon se si shkencëtarët mund të neutralizojnë përhapjen e Covid-19.

Falë një studimi shkencor, të udhëhequr nga Universiteti i Padovës, me ndihmën e Rajonit të Venetos dhe Kryqit të Kuq, bashkia testoi të gjithë banorëve të qytetit (qyteti ka 3,300 banorë). Qëllimi ishte të studiohej historia natyrore e virusit, dinamika e transmetimit dhe kategoritë më të rrezikuara.

Studiuesit shpjeguan se ata kishin testuar banorët dy herë dhe se studimi çoi në zbulimin e rolit vendimtar për të ndaluar përhapjen e epidemisë së koronavirusit: kapjen në kohë të njerëzve që nuk shfaqin simptoma.

Kur filloi studimi, më 6 mars, në Vò kishte të paktën 90 të infektuar. Por prej ditësh, në qytezën italiane nuk ka pasur raste të reja.

"Ne ishim në gjendje të përmbanim shpërthimin, sepse i identifikuam të gjithë infektuarit dhe i izoluam," tha Andrea Crisanti, një ekspert i Imperial College në Londër, i cili mori pjesë në studim. "Kjo është ajo që bën ndryshimin."

Hulumtimi coi në identifikimin e të paktën gjashtë personave që nuk shfaqin simptoma por që testuan pozitive për Covid-19. ‘‘ Nëse këta njerëz nuk do të ishin zbuluar-thanë studiuesit- ata do të kishin infektuar pa e ditur dhjetra banorë të tjerë."

"Përqindja e personave të infektuar që nuk shfaqin simptoma është shumë e lartë," thotë Sergio Romagnani, profesor i imunologjisë klinike në Universitetin e Firences, në një letër drejtuar autoriteteve. "Izolimi i tyre është thelbësor që të kontrollojmë përhapjen e virusit dhe ashpërsinë e sëmundjes."

Ka shumë ekspertë dhe kryetarë bashkish në Itali që bëjnë presion për të kryer testime masive në vend, përfshirë edhe ata që nuk shfaqin simptoma.

"Një test nuk i bën dëm askujt," tha guvernatori i rajonit të Venetos, Luca Zaia, i cili po merr masa për të testuar çdo banor të rajonit. " Zaia, e përshkroi Vò si, "vendin më të shëndetshëm në Itali". "Kjo është prova që testimet në masë funksionojnë", shtoi ai.

“Këtu ishin dy rastet e para. Ne i testuam të gjithë, edhe pse ekspertët na thanë se ishte një gabim: 3000 testime. Zbuluam se 66 ishin pozitive, të cilët i izoluam për 14 ditë. Pas kësaj 6 prej tyre ishin akoma pozitive dhe nisëm t’i trajtonim me medikamente. Kështu i dhamë fund përhapjes së epidemisë. ”

Sidoqoftë, sipas disa espertëve, problemet e testimeve masive nuk janë vetëm të një natyre ekonomike (secili tampon kushton rreth 15 euro) por edhe në një nivel organizativ.

Të martën, përfaqësuesi i OBSH-së, Ranieri Guerra, ka kërkuar që të rritet identifikimi dhe diagnostikimi i rasteve të dyshuara dhe të testohen të gjitha kontaktet e rasteve të konfirmuara, sa më shumë që të jetë e mundur.

Massimo Galli, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Milanos dhe drejtor i sëmundjeve infektive në spitalin Luigi Sacco në Milano, paralajmëroi se kryerja e testeve masive mbi popullatën, megjithatë mund të rezultojë e padobishme.

"Kontaktet fatkeqësisht po evoluojnë," tha Galli "Një njeri që teston negativisht sot mund ta marrë sëmundjen nesër."


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë