Mendim

A do ta kishin hetuar shqiptarët shefin e OFL, pa gjermanët?

Ai shihej si i besuari i gjermanëve për shtatë vite me radhë në këtë shtet. Por vetëm kaq. Besimi zgjati aq sa puna e tij. Sepse puna dhe karriera e Artan Shkëmbit në krye të OFL-së është vënë në pikëpyetje nga vetë ata, me saktë, nga një oficer i thjesht ndërlidhës gjerman puna e të cilit nuk njeh emër, por vetëm mbledhje provash apo rastesh të dyshuara.

Artan Shkëmbi po i nënshtrohet kontrollit të drejtësisë shqiptare me kërkesë të gjermanëve, edhe pse vetë ai në krye të një organi të rëndësishëm që lidhet bash me korrupsionin e krimin e organizuar, vetëm në muajin Shkurt kaloi të tre hallkat bazike për pastërtinë e figurës.

Artan Shkëmbi ishte kandidatura e parë që garoi për kreun e BKH-së. Emri i tij ishte premtues për organet e reja të drejtësisë, aty ku shumëkush prej nesh pret që të mos shohim më pis.

Për Artan Shkëmbin drejtësia do të flasë shpejt. Nëse është apo jo i implikuar, nëse ka kryer vetëm detyrën apo e kundërta. Sepse kanë folur të huajt e aq më shumë agjencitë gjermane.

Implikimi deri në këtë fazë të gjykimit të Artan Shkëmbit, duhet të ishte një shok sepse kurorëzoi me shumë dyshime një proces të tërë të krijimit të drejtësisë së re.

Në fund të hetimit, ai mund të dal i pafajshëm, por pyetja që të mundon ende është.

A kanë vullnet dhe këllqe organet e reja të drejtësisë të hetojnë edhe brenda radhëve të tyre?

A janë të aftë ata që ta vënë gishtin në hetim edhe tek Artan Shkëmbi njeriu me CV-në e pasur që luftonte në karrierë për drejtësinë e re?

A munden ata, një herë të vetme të tregojnë se “po” jemi shumë më shumë sesa puna e  një ndërlidhësi të thjesht gjerman që vuri në dyshim gjithë hallkën e zinxhirit nisur nga një indicie, jo shumë e vështirë për tu zbuluar?

Thënë shkoqur, a do të ishte sot Artan Shkëmbi para gjykatës, nëse nuk do të flisnin gjermanët?  

Në fund të fundit, a mund të bëhen institucionet tona qoftë edhe një herë të vetme si gjermanë?

A po do i gëzohemi drejtësisë së re me problemet e vjetra....    


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë