Ana e errët

Trafikantët që e “tradhtuan” shefin e OFL-së, Artan Shkëmbin

Vetëm tre muaj pasi po trumbetohej me forcë aktiviteti i OFL që drejtohej nga zyrtari Artan Shkëmbi, gjermanët i referojnë OFL dy emra të dyshuarish për të cilët ata kishin nisur verifikimet në datë 19 mars 2020. Burimet pohojnë për gazetën "Si" se në mesin e muajit prill pala gjermane referon për verifikim të pasurive emrat e shtetasve Aleksandër Prronit dhe Klaudio Vukajt, që të dy me banim në Gjermani. Burimet e gazetës "Si" pohojnë se pala shqiptare u kthen përgjigje gjermanëve më 22 prill.

Por në vazhdën e hetimeve një grup i përbashkët hetimor i emëruar Kier Gier zbuloi komunikimin mes shtetasve shqiptarë në Gjermani nëpërmjet programit të paligjshëm Encro Chat dhe në telefonin e tyre gjendet fotografia e dërguar nga Shqipëria me të dhëna nga programi hetimor Deep See, në të cilin kanë akses vetëm organet hetimore të certifikuara.

Bëhet me dije nga burimet se në mes të muajit shtator menjëherë pas këtij zbulimi, oficeri ndërlidhës gjerman i bindur se tradhtari ishte efektiv i policisë shqiptare kërkon hetime urgjente. Sipas dosjes që gazeta Si e disponon, menjëherë është këqyrur  sistemi Deep See dhe Tims për të kuptuar se kush kishte kryer kërkime për dy emrat e Prronit dhe Vukaj.

Në të dy rastet personi që kishte kërkuar rezulton zyrtari Shkëmbi, të cilit për vite me radhë i janë besuar aksione ndërkombëtare të forta. Përveç zyrtarit rezultojnë se kanë kërkuar në të njëjtën periudhë edhe dy oficerë të tjerë një femër dhe një agjent, të cilët njëkohësisht janë marrë në pyetje. Shkëmbi pretendon sipas burimeve të gazetës Si se ka kërkuar për efekt detyre pas kërkesës dhe se të dhënat i ka përcjellë për procedim, dhe të njëjtën gjë këmbëngulin edhe dy vartësit e tij.

Por, SPAK dyshon se të dhënat u përcollën përmes një aparati Iphone, dhe e vetmja koincidencë që ka shtuar dyshimet mbi Shkëmbin është pikërisht telefoni Iphone që ai e ka vënë në dispozicion të hetuesve.

Zyrtari i OFL, pretendent i mëparshëm për të marrë drejtimin e BKH si dhe oficer dhe i besuar i gjermanëve për shtatë vite në këtë shtet, u kthye në Shqipëri dhjetë vjet më parë duke koordinuar operacione antidrogë me Europol, por edhe antidrogën gjermane.

Shkëmbi këmbëngul se nuk i ka zbuluar ai aktet e hetimit, kurse sot pritet të njihet me masën e shpallur në mungesë, atë të pezullimit nga detyra.

Ndërkohë, GJKKO ka shtyrë për nesër në orën 09.00 vendimin për Artan Shkëmbin, i cili u paraqit ditën e sotme për t’u njohur me masën e pezullimit të tij. Avokati i tij mbrojtës, Artan Broci, ka kërkuar në seancë më shumë kohë që të njihet me dosjen.

Ndaj zyrtarit që kishte akses në databasin më të rëndësishëm hetimor dhe që drejtoi departamente të hetimit kundër krimit të organizuar SPAK adreson dy vepra, më e rënda ajo e korrupsionit, por që nuk ka ende asnjë të dhënë konkrete në fashikull se në çfarë forme përfitoi Shkëmbi nga dy të hetuarit e Gjermanisë për kokainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë