Futboll

Rasti kurioz i Ansu Fatit, më i miri në fushë, por jo “Lojtari i ndeshjes”

Në fitoren 4-0 të Barcelonës ndaj Vilarrealit ishte protagonist absolut talenti Ansu Fati. Ai shënoi 2 golat e parë të ndeshjes për katalanasit dhe u dallua për veprime spektakolare në lojë, në dyluftime shpejtësie dhe driblimet në zona të ngushta. Nuk ishte e vështirë të kuptohej se sulmuesi i datëlindjes 2002 ishte më i miri në fushë, por çmimin e “Lojtarit të ndeshjes” Liga nuk mund t’ia jepte atij.

Arsyeja? Sponsori që zgjedh “Lojtarin e ndeshjes” është një markë e njohur birrash, që nuk shkon pranë imazhit të një minoreni. Ansu Fati mbush 18 vjeç më 31 tetor dhe pas kësaj date edhe ai mund të shijojë çmimin individual.

Ansu Fati, talenti 17-vjeçar i Barcelonës. Gazeta Si, 29 shtator 2020

Në vend të lojtarit të ri të Barcelonës, çmimin e “Lojtarit të ndeshjes” e ka marrë Zhordi Alba. Një rast i çuditshëm, që në fakt nuk i heq asgjë paraqitjes spektakolare të Ansu Fatit, i cili është gjithmonë e më shumë në qendër të projektit të Barcelonës së trajnerit të ri, Ronald Koeman. Sulmuesi 17-vjeçar pritet të jetë titullar fiks në formacionin e trajnerit holandez.

Ndeshjen e parë si maxhoren ai do ta luajë më 1 nëntor, ndaj Alaveshit. Ky do të jetë rasti i parë, kur Ansu Fati do të tentojë të fitojë çmimin individual, kundërshtari i Barcelonës është i paralajmëruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë