Ka ndodhur

Rasti i sanitares, Shoqata e Infermierëve: Të kontrollohen dosjet e të gjithë të punësuarve

Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me aktin korruptiv që u bë publik nga spitali Shefqet Ndroqi, ku një sanitare arriti të marrë shuma të mëdha parash nga familjarët e një prej pacientëve të shtruar si pasojë e Covid-19.

Shoqata e Infermierëve në një njoftim për mediat shprehet se këta persona që bëjnë akte korrupsioni duhet të dënohet, pasi nuk mund të njolloset puna e të gjithë personelit që punon nëpër spitale.

“Duke qenë se nuk është i pari rast që persona të ndryshëm bëjnë akte të tilla dhe kudo njolloset emri i Infermiereve duhet të jenë të dënueshëm. Shoqata e Infermiereve i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Prokurorisë dhe çdo institucioni përgjegjës që të hetojë rastin deri në fund duke nxjerr të gjithë të përfshirët në këtë rast korruptiv me pasoje vdekjen e pacientes. Pavarësisht titujve dhe pozicioneve që kanë personat e përfshirë përpara drejtësisë dhe ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë”, thuhet në njoftimin e Shoqatës.

Shoqata bën thirrje po ashtu që të shihen të gjitha dosjet e njerëzve të punësuar, pasi një pjesë e tyre nuk ka shkollimin përkatës.

“Gjithashtu duhen hetuar dhe të gjithë dosjet e personelit që ushtron profesionin sa të rregullt janë ligjërisht në ushtrimin e profesionit të tyre, pasi prej kohësh kemi bërë thirrje që të verifikohen dosjet e Infermiereve pasi nje numër i konsiderueshëm e ushtrojnë profesionin në shkelje si: pa lejen e ushtrimit te profesionit ose pa kualifikimet e duhura, persona qe nuk plotësojnë kriteret për të qenë ne një pozicion por për shkak të shumë arsyeve ato janë në atë pozicion dhe kane sjellë dëmtim te sistemit”, vijon më tej njoftimi.

Ndër të tjera, Shoqata e Infermierëve shprehet se “distancohet nga çdolloj rasti të tillë ku profesionistë janë të përfshirë në afera të tilla por qëndron fort në krah të çdo profesionisti të  ndershëm që mundohen që nën emrin e tyre apo të infermierëve të përbaltin figurën dhe punën e infermiereve që në çdo kohe janë të parët në frontin e parë për t’u shërbyer pacientëve dhe jo politikës, shefave, koordinatorëve, administratorëve apo kryeinfermierëve. Pasi betimi që çdo profesionist ka është bërë për t’i shërbyer pacientit e askujt tjetër”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë