Lajme

Rasti i Alvinit, Meta: Duhen ngritur urgjentisht qendra rehabilitimi

Presidenti Ilir Meta në konferencën ndërkombëtare me temë “Feja si instrument i paqes”, përmendi rastin e vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha, i shpëtuar pak javë më parë nga kampi “Al Hol” në Siri.
Në fjalën e tij, Meta deklaroi se i gjithë opinioni u trondit nga rasti i Alvinit, ndërsa shtoi se ai u shpëtua falë gazetarisë profesionale të huaj dhe vendase.
Më tej, Meta deklaroi se duhen ngritur urgjentisht qendra rehabilitimi për t’iu ardhur në ndihmë personave që shpëtohen nga kampet e luftës, në mënyrë që të përballojnë traumat e përjetuara.
“Sot rajoni ynë përballet me sfidat e përbashkëta me kampet në Siri. Vendi u trondit nga rasti i Alvin Berishës. Falë gazetarisë profesioniste vogëlushi u shpëtua dhe është pranë familjes.
Por ka edhe kampe të tjera që ndodhen me dhjetëra gra e fëmijë. Duhet të ngrihen urgjentisht qendrat e rahabilitimit. Viktimat e këtij fenomeni duhet të identifikohen dhe integrohen, duhen përkrahur, që të bëhen pjesë e shoqërisë, pranë familjeve të tyre”, deklaroi Meta.
Referuar emigracionit në rritje, ai theksoi se nuk duhet lejuar që Shqipëria të vuajë dimrin demografik të Europës.
“Të gjithë kemi detyrime kombëtare rajonale e ndërkombëtare e duhet angazhohemi më shumë për të luftuar varfërinë, për të përmirësuar standardet e jetesës. Terrorizmi e ekstremizmi fetar lindin nga varfëria dhe kur shpresa për të ardhmen shuhet nga keqqeverisja. Qeveria duhet të hartojë ligje për mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
Ne po hasemi me një nivel të lartë ikjesh, eksodi i rinisë sonë duke bërë vunerabël shtresa të dobëta të shoqërisë. Të mos lejojmë dimrin demografik të Europës na ka porositur Papa Francesku në takimet me të. Ky fenomen s’na ka prekur vetëm ne, por gjithë rajonin tonë ndaj duhet ta përballojmë së bashku. Bijtë e shqipes të kthehen në atdheun e tyre për jetë më të mirë dhe më të sigurt”, u shpreh Meta.

Në këtë aktivitet merr pjesë edhe Sam Brownback, zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidenti e cilëson privilegj koordinimin me DASH për këtë konferencë dhe lirinë fetare, që në këndvështrimin e tij është thelbësore për paqen dhe stabilitetin.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2617496118296645

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë