Futboll

Raste pozitive në futboll, përhapja e virusit në ndërgjegjen e lojtarëve

Dyshimet që te skuadrat e futbollit të të gjitha kategorive mund të ketë të infektuar nga Covid-19 mbeten të forta. Sepse gjithçka është në dorë, apo në ndërgjegjen e lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafeve teknike, përderisa tamponët para çdo ndeshjeje kampionati nuk janë detyrim, siç ndodh në Europë.

Një rast konkret. Dy futbollistë të Lushnjës, Dionis Musaku dhe Adriatik Basha, kanë dalë pozitivë. Pasi kanë ndjerë shqetësime, ata kanë kryer tamponin si çdo qytetar i Lushnjës, dy lojtarë të tjerë të po kësaj skuadre kanë vepruar kështu dhe janë në pritje të përgjigjes. Ky është rasti më i mirë, pasi lojtarët kanë respektuar rregullat. Të njëjtën gjë ka bërë edhe trajneri i Kukësit, Skënder Gega, i karantinuar prej disa ditësh, pasi doli pozitiv. Sot te Kukësi janë shtuar edhe tri raste të tjera pozitive, futbollistët Kuper dhe Hetemaj, si dhe zëdhënësi Erjon Allaraj. Që të tre janë izoluar.

Por a janë të gjithë kaq të ndërgjegjshëm? Dyshimet janë të mëdha, sepse në radhë të parë mund të ketë asimptomatikë, por gjithashtu mund të ketë edhe abuzime nga skuadra apo lojtarë të caktuar. Përderisa nuk ka tamponë para ndeshjeve, rreziku për përhapjen e virusit është i madh, si te shokët e skuadrës në stërvitjen e përditshme, por edhe te kundërshtarët gjatë ndeshjeve te kampionatit.

Dionis Musaku, një nga lojtarët që kanë dalë pozitivë te Lushnja. Gazeta Si, 20 nëntor 2020

Në rastin e Lushnjës, e gjithë skuadra duhet të kryejë tamponin, sepse nesër luan ndeshjen e radhës me Tomorin. E njëjta gjë vlen edhe për Kukësin para ndeshjes me Teutën. Në radhët e lushnjarëve dhe kuksianëve mund të ketë të infektuar të tjerë asimptomatikë, të cilët do përhapnin virusin gjatë ndeshjeve të radhës.

Ndoshta autoritetet shëndetësore dhe FSHF-ja, që organizon garën, duhet ta rishohin protokollin në këtë moment, kur situata po rëndohet përditë e më shumë. Më parë ka pasur raste infektimi me Covid-19 te Bylisi, Apolonia dhe më shumë te Vllaznia. Nuk mund të lihet gjithçka vetëm në ndërgjegjen e sportistëve.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë