Ne rrjet

Raporti / Si Perëndimi po importon naftë ruse, duke shkelur sanksionet në kohë lufte

Sanksionet ndalojnë importin e naftës nga Moska, por ka një bum të produkteve të rafinuara (+94%). Të dhënat zbulohen nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA) në Helsinki

Gazeta Si - Gjatë vitit të kaluar, muaj pas muaji, të ardhurat nga nafta dhe gazi i kompanive të Moskës kanë qenë në rënie të vazhdueshme.

Prillin e kaluar, regjimi i Vladimir Putinit faturoi mbi 1.1 miliardë euro në ditë nga lëndët djegëse fosile, ndërsa sot regjistrohet gjysma e kësaj.

Megjithatë, gjithçka nuk po shkon siç e imagjinonin qeveritë perëndimore, kur vendosën regjimin më të madh hakmarrës ndonjëherë kundër një prej ekonomive më të mëdha në botë.

Në veçanti, ata nuk e kishin imagjinuar që vendet demokratike do të bëheshin protagonistë të një sistemi masiv të anashkalimit të sanksioneve kundër naftës ruse.

Dimensioni i fenomenit, del në një raport të “Centre for Research on Energy and Clean Air”, CREA (Qendrës për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër), të Helsinkit, një institut i cili vitin e fundit i është përkushtuar studimit të eksportit të lëndëve të para nga Rusia.

Ajo që po ndodh është teknikisht e ligjshme, nuk ka operacione klandestine apo faturime të rreme në asnjë pikë të zinxhirit të furnizimit.

Sidoqoftë, ekziston një rrjet trekëndëshash me vendet e mëdha në zhvillim, i cili lejon Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe, Australinë, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë të shkelin në mënyrë thelbësore masat për naftën ruse.

Nëse synimi ishte të reduktoheshin të ardhurat me të cilat Kremlini financon luftën, vendet demokratike po veprojnë në kundërshtim me objektivat e tyre.

Qendra e studimit CREA, rindërton lakimin që kanë marrë shkëmbimet që nga fillimi i luftës dhe që kur Evropa ndaloi importimin e naftës bruto nga Moska.

Që nga fillimi i agresionit kundër Ukrainës, sasitë e transportuara me cisterna nga portet ruse kanë shpërthyer me 140% drejt pesë vendeve që nuk zbatojnë sanksionet: Kina, India, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Singapori.

Paralelisht, këto pesë vende rrisin fuqishëm dërgesat e produkteve të rafinuara - naftë dhe karburant avioni - në të gjitha vendet kryesore, të cilat megjithatë e mbajnë Rusinë nën sanksione.

Dërgesat e derivateve të naftës nga Kina drejt sistemeve demokratike, janë rritur me 94% vitin e fundit; ato nga Turqia me 43%; ato nga Singapori me 33% dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe me 23%.

Në përgjithësi, në vitin e parë të luftës, ajo që qendra e studimit CREA e përkufizon si një "riciklim" të naftës bruto ruse, ndodh përmes fuqive në zhvillim dhe drejt demokracive, me një rritje të shitjeve të produkteve të rafinuara prej 10 milionë ton dhe 18.7 miliardë euro.

Pjesa më e madhe e rritjes është regjistruar pas 5 dhjetorit të kaluar, kur u shkaktua embargoja evropiane dhe demokracitë e G7 vendosën një tavan prej 60 dollarësh për fuçi për blerjen e naftës bruto ruse për ata që nuk zbatojnë sanksionet.

Midis 5 dhjetorit dhe 24 shkurtit, demokracitë importuan pothuajse 13 milionë tonë produkte të rafinuara nga vendet që CREA i përcakton si "riciklues", për 9.5 miliardë euro.

Në vitin e parë të luftës, Italia bleu 1.9 milionë tonë karburant nga këto pesë fuqi në zhvillim, kryesisht të ardhura nga nafta bruto ruse.

Por të parat në këtë renditje janë (me radhë) Australia, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Britania e Madhe, Holanda dhe Franca.

Qëllimi nuk është të përfitohet nga zbritjet që vijnë nga kufiri i çmimit. Thjesht, importuesit e demokracive kërkojnë furnizime në një treg të tensionuar.

Në fund të fundit, e gjithë G7 po lëviz në një territor të paeksploruar. Nuk kishte ndodhur kurrë në periudhën e pasluftës që një program gjithëpërfshirës i sanksioneve tregtare të drejtohej kundër një ekonomie të madhe të integruar kaq thellë në tregtinë ndërkombëtare.

Vendet e tjera të prekura nga sanksione po aq të gjera - Kuba, Koreja e Veriut, Venezuela, Irani - janë të gjitha pak a shumë të përfshira në globalizim.

Të godasësh Rusinë pa nxjerrë kontradikta është më e vështirë. Por qendra e studimit CREA, ka një sugjerim: të ndalojë importin në Evropë të karburanteve nga rafineritë që marrin naftë ruse ose t'i detyrojë ato të dokumentojnë origjinën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë