Njerez

Raporti: Shqiptarët, ‘skllavë modernë’ në Angli! Detyrohen të lypin, vjedhin dhe të shesin drogë

Ekipi kundër skllavërisë në Oxfordshire, Angli ka regjistruar rreth 400 raste të skllavërisë moderne mes 2022 dhe 2023.

Më shumë se 15 raste të skllavërisë moderne regjistrohen në Oxfordshire çdo muaj, sugjerojnë shifrat, ku gjysma e viktimave të raportuara ishin britanikë, shqiptarë ose rumunë.

BBC shkruan se deri më tani janë mbyllur një bujtinë ku banorët shfrytëzoheshin financiarisht nga pronarja, tha koordinatorja e ekipit kundër skllavërisë, Nicola Bell.

Në një raport për Këshillin e Qytetit, ajo tha se 379 raste u regjistruan midis janarit 2022 dhe dhjetorit 2023. Ajo tha se 43 viktima ishin marrë në mbrojtje.

Bell theksoi suksese të tjera, duke përfshirë mbylljen e dy shtëpive publike dhe një burri që u ristrehua pasi u kërcënua nga tregtarët e drogës.

Justine Carter, drejtore e organizatës kundër skllavërisë Unseen, tha se shifrat ka të ngjarë të jenë "maja e ajsbergut".

“Është ajo që ne shohim në të gjithë vendin. Në Mbretërinë e Bashkuar, ka një vlerësim prej 122,000 njerëzish në situata të skllavërisë dhe shfrytëzimit”, tha ajo.

Carter tha se kjo përfshinte detyrimin për të vjedhur, lypur ose për të shitur drogë.

“Më shumë se gjysma e viktimave të raportuara ishin britanikë, shqiptarë ose rumunë”, shkruhet në studimin e këshillit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë