Nga Gazeta Si- Vonesat në sistemin gjyqësor shqiptar vijojnë të mbeten një nga shqetësimet më serioze për qytetarët, me procese që zgjasin mesatarisht deri në katër vite për të marrë një vendim përfundimtar.
Ky realitet u theksua në Raportin Vjetor 2025 të Avokati i Popullit, duke ngritur alarmin për një drejtësi të vonuar që shpesh kthehet në drejtësi të mohuar.
Gjatë prezantimit të raportit “Të drejtat e njeriut dhe mirëqeverisja në Shqipëri”, Erind Shabani theksoi se pritjet e gjata në gjykata janë kthyer në një barrë të rëndë për qytetarët, të cilët detyrohen të presin me vite për zgjidhjen e çështjeve të tyre.
Mesatarja prej katër vitesh për një vendim gjyqësor konsiderohet zgjatje ekstreme për Shabanin dhe reflekton problematika të thella strukturore, që lidhen me mungesën e burimeve njerëzore, ngarkesën e madhe të dosjeve dhe zvarritjet procedurale.
Raporti evidenton se kjo situatë lidhet ngushtë edhe me një tjetër burim të madh ankesash- çështjet e pronësisë dhe problemet me Kadastrën, të cilat shpesh përfundojnë në gjykatë dhe zvarriten për vite me radhë.
Përtej sistemit gjyqësor, Avokati i Popullit ngriti shqetësime edhe për çështje të tjera si mbipopullimi i burgjeve dhe trajtimi i të miturve në komisariate. Sipas Avokatit të Popullit, të miturit e ndaluar gjatë protestave janë marrë në pyetje pa praninë e prindërve apo psikologut.
Në raport vihet në dukje gjithashtu se, megjithëse digjitalizimi synon të lehtësojë shërbimet publike, për një pjesë të qytetarëve ai është shndërruar në një pengesë të re, duke vështirësuar aksesin në administratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje