Shendet

Raporti / Përgjigja ndaj Covid-it e qeverive dhe OBSH-së ishte shumë e ngadaltë

Sipas një raporti të publikuar në revistën mjekësore Lancet, qeveritë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vepruan shumë ngadalë për të frenuar infeksionet Covid-19 që çuan në miliona vdekje të parandalueshme.

Komisioni i Lancet tha se dështimet e përhapura në parandalimin, praktikat bazë të shëndetit publik dhe solidaritetin ndërkombëtar rezultuan në 17.7 milionë vdekje, përfshirë ato të pa numëruara zyrtarisht.

Raporti arriti në përfundimin se OBSH-ja “veproi shumë ngadalë në disa çështje të rëndësishme”, duke përfshirë transmetueshmërinë e virusit dhe vonesën në përcaktimin e virusit si emergjencë ndërkombëtare.

OBSH filloi ta quante shpërthimin një "pandemi" në mars të 2020 për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje, rreth tre muaj pas infektimit të parë të regjistruar në Kinë.

Gjithashtu në raport thuhet se kishte vonesa në veprim edhe në kufizimet e udhëtimeve për të ngadalësuar infektimet, kishte vonesa në për të miratuar përdorimin publik të maskave dhe për të njoftuar se Covid transmetohet edhe me anë të ajrit.

Autorët e raportit arritën gjithashtu në përfundimin se koordinimi midis qeverive ishte i ngadaltë.

“Rezultati ishte miliona vdekje të parandalueshme dhe një kaos në shumë vende të botës”, thuhet në raport.

OBSH ka thënë se mirëpret rekomandimet e raportit por se kanë gjithashtu edhe disa  keqinterpretime mes rreshtave.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, të mërkurën dha një notë optimizmi për pandeminë. “Nuk jemi ende në fund por fundi shihet”, tha ai gjatë një konference për shtyp. Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve që të forcojnë fushatat e tyre të vaksinimit.

Profesori i Universitetit të Kolumbisë, Jeffrey Sachs, i cili kryesoi Komisionin Lancet, tha se ishte koha për të "përballur të vërtetat e vështira".

"Shumë qeveri nuk kanë arritur t'i përmbahen normave bazë të transparencës institucionale", tha Sachs.

"Shumë vende kanë dështuar të promovojnë bashkëpunimin global për të kontrolluar pandeminë”.

Sipas raportit, pandemia ka ekspozuar "dobësi të mëdha në marrëdhëniet midis shteteve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë