Politike

Raporti për Kosovën, Vuçiç: E kemi humbur kontrollin mbi të

Pas një seance të gjatë, Parlamenti i Serbisë ka miratuar sot raportin për Kosovën, i cili është hartuar nga zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Vetë Presidenti Vuçiç ka thënë, në kuadër të këtij raporti, se Serbia duhet ta pranojë që e ka humbur kontrollin mbi Kosovën, dhe se duhet të gjejë kompromis me Prishtinën për të normalizuar raportet.

Në raport thuhet se dialogu në çdo drejtim ka punuar për interesat e serbëve si dhe gjatë periudhës së bisedimeve është arritur të ruhet qetësia në Kosovë dhe më gjerë. Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve kanë filluar në vitin 2011. Raporti sot u miratua me 145 vota pro, katër kundër, ndërsa 13 deputetë nuk morën pjesë në votim.

Palët kanë akuzuar njëra tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij dialogu. Pala serbe është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovë, pasi kjo e fundit, në nëntor të vitit të kaluar, u ka vënë taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia.

Serbia e ka cilësuar taksën si një barrierë të pakalueshme dhe e ka kushtëzuar dialogun me Prishtinën deri në heqjen e saj, ndërsa autoritetet në Prishtinë këmbëngulin që ajo të mbesë në fuqi.

Ndërkohë, faktori ndërkombëtar në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar palët të bëjnë lëshime në emër të negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë