Politike

Raporti: KQZ s’u la kohë institucioneve për kufizimet parazgjedhore

Raporti i parë vëzhgues i Akademisë së Studimeve Politike mbi zbatimin e Kodit Zgjedhor për ndalimin e veprimtarive me karakter elektoral katër muaj para zgjedhjeve vëren se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka dhënë kohën e mjaftueshme institucioneve dhe subjekteve politike që të përgatiten.

“Kufizimet e veprimtarive publike filluan efektin e tyre vetëm një ditë më pas, më 25 dhjetor 2020 (4 muaj para 25 prilli 2021) duke e bërë të pamundur informimin paraprak të institucioneve dhe zyrtarëve subjekt i ligjit për detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Kjo mungesë informimi dhe detajimi të mëtejshëm të veprimtarive të ndaluara në ditët e para të fillimit të periudhës 4 mujore të kufizimit, e shoqëruara edhe me periudhën e festave të fundvitit (deri më 5 janar 2021), ngjalli perceptime jo të drejta nga të gjitha palët”, thuhet në raportin e vëzhgimit.

Raporti thekson se përveç rrugës së raportimeve në KQZ të veprimtarive publike që denonconte me karakter elektoral, ndoqi edhe një rrugë tjetër.

“Më datë 6 janar 2021, PD iu drejtua Prokurorisë Speciale Antikorrupsion SPAK me një kallzim për 16 drejtues qendrorë dhe vendorë (5 anëtarë të Këshillit të Ministrave, 2 deputetë, 7 kryetarë bashkie, 1 drejtor i agjencie publike dhe një administrator vendor), të akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Pak ditë më pas, të njëjtën rrugë për kallzim penal pranë SPAK ndoqi edhe LSI”, thotë raporti.

Akademia e Studimeve Politike i adreson KQZ-së dhe institucioneve të tjera që ngarkohen me ligj për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore tre rekomandime.

Rekomandimi i parë është hartimi i një fushate informuese për institucionet dhe publikun që do të ndihmojë të gjithë aktorët që të njohin më mirë kufizimet e parashikuara gjatë periudhës 4 muaj para zgjedhjeve, si dhe do të nxisë kallëzimet nga ana e qytetarëve.

“Inkurajohet të nxitet interesi publik nëpërmjet Medias, për të promovuar problematikat që lidhen më përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë elektorale, duke denoncuar dhe raste konkrete në ndërfaqen e KQZ-së”, rekomandohet në raport.

Së dyti, Akademia e Studimeve Politike i kërkon KQZ-së ndërtimin e një procesimi më efikas dhe institucional për ndjekjen dhe vendimmarrjen e rasteve të denoncuara ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Rekomandimi i tretë shkon edhe për partitë politike.

“Subjektet politike dhe institucionet publike të përfshira në rastet e denoncuara dhe proceduara nga KQZ për shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor, duhet të ndërmarrin procedura administrative ndaj përfaqësuesve të tyre politikë si dhe drejtuesve të strukturës, për të krijuar praktika për distancimin nga këto veprime antiligjore në të ardhmen”, thuhet aty.

Raporti është hartuar nga vazhgimi i periudhës 25 dhjetor 2020-15 janar 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë