Treg

Raporti: Koncesionet, Rinasi, nafta, bankat e telefonia në hetim

Pothuajse të gjitha shërbimet që ofrohen në Shqipëri janë dhe do të jenë në hetim përgjatë 2020 nga Autoriteti i Konkurrencës. Çmimet e rritura dhe abuzimet në sektorët jetikë kanë bërë që ky institucion të ndërmarrë hetime të thelluara te kompanitë që ofrojnë këto shërbime. Në një raport të siguruar nga Gazeta “Si”, Autoriteti bën të ditur se me synimin për të pasur një konkurrencë të lirë dhe efektive do të hetojë në tregjet me impakt të drejtpërdrejt te konsumatori si në shërbimet të transportit ajror aeroporti TIA; farmaceutik; shërbimi stomatologjik; e gazit të lëngshëm (GLN); i Subjekteve Financiare Jo-Bankë. Ndërsa bëhet e ditur se janë nën hetim dhe nën monitorim tregjet e sektorët e telefonisë celulare; i shërbimit spitalor; tregu bankar; i arsimit të lartë; i veprimtarive ekonomike të FSHF dhe tregu i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.

Koncesionet nën hetim
Në raportin e siguruar nga Gazeta “Si” theksohet se gjatë vitit 2019, Autoriteti ka monitoruar zbatimin e vendimit të të marrë, “Për vendosje gjobe dhe detyrime ndaj ndërmarrjes “SGS Automotive Albania” SHPK në tregun e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë dhe dhënien e disa rekomandimeve, ndërmarrjes SGS dhe MIE”. Pavarësisht disa masave të marra për liberalizimin e tregut të këtij shërbimi koncesionari është gjobitur nga ky institucion.

Faksimile e raportit të Autoritetit. Gazeta "Si" 8 mars 2020


“Dëmi ekonomik i llogaritur, si rezultat i shkeljes së rregullave të konkurrencës në zbatim të nenit 9, pika 2, germat (a) dhe (ç), të ligjit nr. 9121/200, është gjoba e vendosur ndërmarrjes SGS në masën 5.69 % të xhiros totale të ndërmarrjes për vitin paraardhës financiar (2017), përkatësisht në shumën 51,091,005 lekëve, e cila është vjelë dhe është arkëtuar në Buxhetin e Shtetit”, thuhet në këtë raport.
Një tjetër hetim i nisur nga autoriteti është edhe për koncesionin e dhënë në pjesën lindore të terminalit të portit të Durrësit për ngarkimin e shkarkimin e mallrave rifuxhio. “Nga monitorimi, rezulton se: në respektim të Kontratës Koncesionare, sipas së cilës Koncesionari EMS APO nuk mund të transferojë detyrimet e tij pa miratimin paraprak nga Autoriteti Kontraktor (MIE) me të cilin është lidhur kontrata e koncesionit, vlerësojmë të rëndësishëm bashkëpunimin midis Koncesionarit EMS APO dhe Autoritetit Kontraktor (MIE) për nxjerrjen e një drafti të përbashkët, ku të reflektohen interesat e të gjitha palëve të interesuara”, thuhet në raport. Autoriteti mësohet se ka vendosur gjobë pasi konstatoi abuzimin me pozitën dominuese të ndërmarrjes “EKMA Albania” SHPK, në tregun e qiradhënies të ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro - Ushqimore në qytetin e Tiranës. “Dëmi ekonomik i llogaritur, si rezultat i shkeljes së rregullave të konkurrencës në zbatim të nenit 9, pika 2, germat (a), (c) dhe (ç) të ligjit nr. 9121/2003, është në masën 9.99 % të xhiros së ndërmarrjes të vitit paraardhës financiar (2017), përkatësisht në shumën 43,168,617 Lekë”, thuhet në këtë raport.

Julinana Latifi, kyretare e Komisoinit të Konkurrencës


Biletat e avionëve, Rinasi
Shitja e biletave të avionëve, rimbursimet, kanë qenë në objekt i hetimeve në Autoritetit. Në këtë kontroll e monitorim është përfshirë edhe Austrian Airlines, pas numrit të ankesave që ka pasur, raste të overbooking, për një periudhë 1 vjeçare. Nga monitorimi rezulton se vendimi është zbatuar në mënyrë të moderuar, e kjo ka bërë Autoriteti t’i drejtohet përsëri ndërmarrjes Austrian Airlines duke kërkuar informacion, për të vijuar me monitorimin e zbatimit të rekomandimeve. Sa i përket koncesionit të aeroportit të Rinasit, në këtë raport theksohet se Autoriteti i ka rekomanduar qeverisë që t’i kërkojë Organit Shtetëror të Autorizuar (OSHA), në zbatim të të pikës 19.4, germa (a) të Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar, në cilësinë e Organit Shtetëror të Autorizuar dhe në bashkëpunim me shoqërinë koncesionare, të rishikojnë Pagesat për Shërbimet e Aeroportit siç parashikohet çdo tre vjet.

Aeroporti i Rinasit


“Për shkak të pozicionit të kompanisë koncesionare, si i vetmi ofrues i shërbimeve ndërkombëtare të transportit të pasagjerëve, OSHA të hartojë dhe aprovojë një metodologji/rregullore për vendosjen e tarifave të aeroportit, si edhe tarifat të jenë të orientuara drejt kostos”, theksohet në këtë raport. Autoriteti ka konstatuar se sipas raportit të Rishikimit të Pavarur Ekonomik të Kontratës Koncesionare të TIA-s, vërehet se tarifat për shërbimet në tokë dhe ato për uljen dhe ngritjen e avionit janë dukshëm më të larta se sa normat e paraqitura në planin e biznesit të kompanisë.
“Gjatë viteve të aktivitetit, TIA ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve. Rritja mesatare e volumit të pasagjerëve nga viti 2005 në vitin 2017 ka qenë 14.8%. Si rrjedhojë, në përfundim të periudhës së vlerësimit duket se TIA ka pasur rritje të fitimeve si pasojë e të ardhurave të siguruara nga rritja e volumit të pasagjerëve dhe rritja e normës së menaxhimit të trafikut ajror, krahasuar me vendet e tjera. Si konkluzion i Rishikimit të Pavarur Ekonomik të Kontratës Koncesionare të TIA-s, normat e fitimit të kompanisë TIA janë më të larta se të vendeve fqinje” thuhet në këtë raport. Ky aktivitet do të jetë nën monitorimin e Autoriteti për këtë vit.

Depozitat e karburantit në Porto Romano, Gazeta "Si", mars 2020

Ndërsa në hetim është firma koncesionare për tarifat e ndryshime që përdoren ndërmarrja Romano Port SHA ka ekskluzivitetin e ofrimit të shërbimit të ngarkim dhe shkarkimit në zonën e “Porto Romano”, me kapacitet të kufizuar të përpunimit të anijeve që transportojnë hidrokarbure, deri në 20.000 ton për naftën dhe 3.000 ton për gazin e lëngshëm të naftës. Autoriteti ka vendosur gjithashtu hetimin e thelluar ndaj ndërmarrjes Bankers Petroleum Albania Ltd në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto për periudhën kohore nga 1 janari 2016 deri në 31 tetor 2019. Gjatë periudhës së hetimit të thelluar është kërkuar informacion nga ndërmarrja nën hetim “Bankers Petroleum Albania” LTD, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe shoqëria Albpetrol SHA, si dhe është kryer inspektim pranë ndërmarrjes nën hetim “Bankers Petroleum Albania” LTD. Ky hetim do të përfundojë procedurat gjatë vitit 2020.

Bankat nën hetim
Autoriteti nëpërmjet KK ka vendosur hetim të thelluar në sektorin bankar për për Bankën Raiffeisen, Bankën Kombëtare Tregtare, Bankën Credins dhe Bankën Intesa SanPaolo për të parë nëse ka ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës, për periudhën kohore 01.01.2016 deri në 31.12.2018, nisur nga fakti se ky treg shfaq: qëndrueshmëri të pjesëve të tregut lidhur me depozitat dhe kreditë, shkallë të lartë përqendrimi në segmente të produkteve, norma shumë të ulta dhe të ngurtësuara të interesave të depozitave,norma të larta të interesit të kredive, spread disa herë më të lartë krahasuar me normën e interesit të depozitave, komisione dhe penalitete bankare të larta për ndërrimin e bankës (sëitching cost), komisione të larta për transfertat bankare në monedhë të huaj dhe norma të larta fitimi.

Për këto hetime të nisura nuk ende ndonjë vendim përfundimtar nga ana e këtij institucioni. Ndërsa kanë nisur hetimet edhe për disa banka të nivelit të dytë sa i përket operimeve në tregun e ndërmjetësimit në sigurime e jetës dhe jo jetës nga bankat e nivelit të dytë, duke përfshirë edhe shoqëritë e sigurimeve. “Mungesa e një metodologjie të llogaritjes së primit të sigurimit (çmimit të policës) e bën të pajustifikueshme ekonomikisht aplikimin e komisioneve të tilla, ndërkohë që risku i sigurimit mbartet totalisht nga shoqëritë e sigurimit”, thuhet në raport. Sa i përket telefonisë mobile, Autoriteti ka vendosur t’i kërkojë AKEP që të realizojë analizën e tregut të pakicës të tregut të telefonisë celulare për tëndërmarrë masat e nevojshme rregullatore për rregullimin e këtij tregu, për përcaktimin e ndërmarrjes me FNT në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. “Vendosjen e masave rregullatore përkatëse duke vendosur edhe masën rregullatorë të mos-diskriminimit të thirrjeve brenda dhe jashtë rrjetit (on-net/off-net rule) për operatorin që ka pozitë dominuese dhe heqjen e masës rregullatore të mosdiskriminimit në tarifat on-net/off-net për operatorët që nuk kanë FNT në tregun me pakicë. Shmangien e subvencionimit nga të ardhurat e realizuara në tregun e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare nga operatorët me FNT në tregun e shitjes me pakicë, për aplikimin e tarifave nën kosto”, thuhet në këtë raport.
Përgjatë 2019, Autoriteti ka realizuar 15 procedura monitorimi, nga ku veçohen ato në tregun e depozitimit dhe të devijimit të energjisë elektrike, tregun e transportit ajror, tregun e prokurimeve të rojeve fizike, tregun e sigurimeve, tregun e bankave dhe tregun e shërbimeve celulare, si dhe 11 procedura hetimore, nga ku veçojmë tregun e shërbimeve bankare, tregun e mbushjes-zbrazjes në Portin e Durrësit, tregun e shërbimit stomatologjik, tregun e naftës bruto, tregun e miellit, tregun e taksive dhe tregun e energjisë.

Tregjet që do të monitorohen:
- tregu i shërbimit të transportit ajror aeroporti TIA;
- tregu farmaceutik;
- tregu i shërbimit stomatologjik;
- tregu i gazit të lëngshëm (GLN);
- tregu i Subjekteve Financiare Jo-Bankë.

Monitorim dhe përfundim i hetimeve në 2020:
- tregu i telefonisë celularëve;
- tregu i shërbimit spitalor;
- tregu bankar;
- sektori i arsimit të lartë;
- tregu i veprimtarive ekonomike të FSHF;
- tregu i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë