Politike

ODIHR: Përbërja e KQZ çon në politizim, Kodi s’thotë si veprohet në bashkitë pa rivalë

Misioni i monitoruesve ndërkombëtar të zgjedhjeve të 30 qershorit, ODIHR ka nxjerrë një raport të ndërmjetëm ku ka bërë një prognozë të procesit të deritanishëm. Raporti që del dy javë para zgjedhjeve të 30 qershorit vë në dukje klimën e polarizuar politike.
“Zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në të gjitha 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste në pushtet dhe Partisë Demokratike në opozitë, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), ku këto të fundit janë tërhequr nga Parlamenti në muajin shkurt. Partitë opozitare të udhëhequra nga PD-ja kanë organizuar protesta të vazhdueshme, në shumë prej të cilave u vu re prania e dhunës, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. PD-ja dhe LSI-ja, ashtu si edhe disa parti më të vogla opozitare nuk marrin pjesë në zgjedhje”, thuhet në këtë raport.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve


Në 31 bashki, kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie garojnë pa kundërshtarë. Nga KZAZ-të dhe KQZ-ja janë regjistruar gjithsej 97 kandidatë për kryetarë bashkie, duke përfshirë 11 kandidate gra, si dhe 544 lista kandidatësh për anëtarë këshillash bashkiakë. Ligji parashikon një kuotë gjinore përfaqësimi prej 50 për qind për secilën gjini në listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore. Disa kandidatë dhe disa lista kandidatësh nuk janë pranuar për shkak të mosrespektimit të afatit për paraqitjen e dokumentacionit dhe/ose për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për vendbanimin ose kuotën gjinore.
“Presidenti Meta ka ofruar në mënyrë të përsëritur të lehtësojë dialogun mes palëve dhe në fund të muajit maj shprehu vullnetin për shtyrjen e zgjedhjeve. Më 10 qershor, duke iu referuar përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizmin dhe shqetësimeve për sigurinë publike, ai dekretoi shfuqizimin e dekretit për vendosjen e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit për shfuqizimin e dekretit të vendosjes së datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit”, thuhet në raport.
Raporti në fakt nën një pasqyrë politike të situatës politike, duke vënë në dukje se edhe në fushatën elektorale më tepër po debatohet mbi dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve.
Ndërsa bëhet e ditur se KQZ-ja aktuale me 5 anëtarë shihet jo pozitivis dhe se ligji zgjedhor nuk parashikon se si veprohet me ato zona ku nuk kandidatë rivalë. “Kodi Zgjedhor nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë. Ligji parashikon që KQZ-ja të jetë një organ i përhershëm i përbërë nga shtatë anëtarë, ku shumica parlamentare dhe opozita parlamentare emërojnë secila nga tre anëtarë, si dhe kryetari i zgjedhur nga parlamenti përmes një procesi të hapur aplikimesh. KQZ-ja aktuale përbëhet nga pesë anëtarë, ku tre anëtarë janë emëruar nga PS-ja dhe një nga Partia Republikane. Si pjesë e marrëveshjes politike të majit 2017, Parlamenti e zëvendësoi kryetarin e KQZ-së me një tjetër anëtar të KQZ-së që ishte emëruar nga opozita. Disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it kanë pretenduar se përbërja aktuale e KQZ-së e politizon vendimmarrjen e saj”, thuhet më tej në raport.

Faksmile e raportit te ODIHR


Mjedisi mediatik është i larmishëm, por ODIHR thekson se mediat kryesore perceptohen si të pozicionuara politikisht. Përdorimi i përmbajtjes së prodhuar nga partitë politike në edicionet informative mbetet shqetësim për shumë nga bashkëbiseduesit e MVZ-së së ODIHR-it. Emërimi i vonuar i Bordit të Monitorimit të Medias sipas ndërkombëtarëve e ka kufizuar mundësinë e këtij bordi për të mbikqyrur përmbushjen e kërkesave ligjore për mbulim proporcional nga mediat audiovizive.
Por vërejtje ODIHR ka edhe për përbërjen e KZAZ-ve, duke aluduar se anëtarët e pavarur që zëvendësojnë opozitën mund të jenë përfaqësues të Partisë Socialiste. ” Disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it kanë pretenduar se anëtarët e emëruar nga KQZ-ja janë pa përvojë dhe/ose përfaqësojnë në të vërtetë PS-në. Një përfaqësues i PD-së e informoi MVZ-në e ODIHR-it se opozita i kishte dekurajuar mbështetësit që të mos merrnin pjesë në procesin e hapur të aplikimit të iniciuar nga KQZja”, thuhet në raport.
Ndërsa bëhet e ditur ODHIR pritet të shohë se si do ta zgjidhë KQZ çështjen e grupit të numërimit të votave, ku duhet të ketë sipas ligjit edhe numërues nga opozita, e përjashtuar nga pjesëmarrja në komisione.
Ndërkombëtarët në raportin e tyre pasqyrojnë edhe pretendimin e një prej audituesve për listat e zgjedhësve.KQZ-ja mbikqyr procesin e përpilimit të listave të zgjedhësve: ajo ka emëruar dy auditues për të vlerësuar saktësinë e listave të zgjedhësve. Më 21 maj, KQZ-ja deklaroi se numri përfundimtar i zgjedhësve ishte 3,536,016.22 Që prej muajit shkurt, KQZ-ja ka publikuar katër raporte auditimi.
“Sipas raporteve të audituesve, numri i zgjedhësve me adresa të paplota është ulur nga 284,065 në dhjetor 2018 në 727 në listën përfundimtare të zgjedhësve. Sipas disa bashkëbiseduesve të MVZ-së së ODIHR-it, duke përfshirë një auditues të KQZ-së, për shkak të volumit të të dhënave, disa adresa mund të jenë ricaktuar pa u verifikuar”, thuhet në raport. Misioni i vëzhguesve ndërkombëtare i ODIHR për zgjedhjet të 30 qershorit kryesohet nga ambasadorja Audrey Glover. Ai përbëhet nga një ekip bërthamë prej 13 vetësh i vendosur në Tiranë dhe 18 vëzhgues afatgjatë të dërguar në të gjithë vendin më 1 qershor. Anëtarët e misionit vijnë nga 22 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së. ODIHR-i u ka kërkuar Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së të dërgojnë 250 vëzhgues afatshkurtër për të vëzhguar procedurat në ditën e zgjedhjeve.

 

Më Shumë