Politike

Raporti i Holandës, vlerësime dhe zhgënjime për Shqipërinë

Parlamenti Holandez ka publikuar raportin e vizitës në Shqipëri të delegacionit holandez në Tiranë në 6-8 maj.

Në raport thuhet se Shqipëria po bën përparim serioz në reformat gjyqësore, si dhe evidentohet se nisma për të rifilluar procesin e reformës zgjedhore, është një shenjë e mirë.

Raporti holandez nënvizon po ashtu se ka shqetësim për marrëdhënien mes qeverisë dhe partive opozitare, duke iu referuar krizës politike në vend.

Delegacioni i deputetëve holandezë kritikon nivelin e dobët të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa këshillon dialogun si zgjidhjen e vetme për çdo problematikë.

Raporti nuk jep një qëndrim përfundimtar mbi votën e Holandës për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Raporti i plotë:

Në Tiranë, raportuesi  Anne Mulder takoi nënkryetaren e parlamentit, zonjën Vasilika Hysi dhe një numër parlamentarësh të tjerë. Ai gjithashtu mbajti bisedime me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Nga ana e qeverisë, raportuesi zhvilloi bisedime me Kryeministrin Edi Rama, Ministrin për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Gent Çakaj, Ministrin e Brendshëm, z. Sandër Lleshaj dhe Zëvendësministrit të Drejtësisë z. Toni Gogu dhe Znj. Fjoralba Caka. Në diskutimet e tij, raportuesi u përqëndrua në pesë prioritetet për reforma që konsiderohen si kushte për hapjen e negociatave për anëtarësim: reforma e gjyqësorit dhe administratës publike, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Raportuesi gjithashtu shqyrtoi funksionimin e demokracisë parlamentare.

Raportuesi Anne Mulder vuri re se Shqipëria po bën përparime serioze në reformat gjyqësore. Procesi i verifikimit që po kryhet nga një komision i pavarur kualifikimi rivlerëson gjyqtarët dhe prokurorët publik sipas kompetencës profesionale, paanësisë dhe kritereve të integritetit dhe është në rrugën e duhur. Komisoni ka dhënë më shumë se 140 vendime dhe në 40% të rasteve, zyrtarët janë shkarkuar. Në apel, shumica dërrmuese e shkarkimeve janë pranuar. Por gjithashtu ka pasur gjithashtu një shkallë të vetë-spastrimit: disa gjyqtarë dhe prokurorë kanë dhënë dorëheqjen.  Procesi është duke u monitoruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (IMO) i Komisionit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Shqipëria ka bërë një ndryshim thelbësor në kushtetutën e tij me qëllim që IMO të jetë ligjërisht i mundur.

Shqipëria ka krijuar edhe institucione të reja në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, duke përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë Prokurorial dhe Këshillin e Emërimit të Drejtësisë, të cilat janë përgjegjëse për rekrutimin, përzgjedhjen, vlerësimin dhe emërimin e zyrtarëve në gjyqësor. Një tjetër institucion i ri, Prokuroria Speciale dhe njësia hetuese e anti-korrupsionit dhe krimit të organizuar (Struktura e Veçantë Anti-Korrupsion ose SPAK) është gjithashtu në procesin e ngritjes. Procesi i verifikimit dhe vlerësimi i kandidatëve të cilët kanë aplikuar për një vend SPAK po vijon. Për këtë arsye, institucioni nuk është ende funksional.

Sa i përket Gjykatës Kushtetuese aktualisht ekziston vetëm një gjyqtar në detyrë, dhe nëntë vende të tjera janë të lira. Prandaj, nuk mund të konsiderohet aktualisht si një institucion shtetëror funksional. Qeveria argumenton se kjo është për shkak të suksesit të procesit të verifikimit, i cili ka çuar në shkarkimin ose dorëheqjen e disa gjyqtarëve duke premtuar se vendet e lira do të plotësohen para verës. Megjithatë, kritikët e qeverisë flasin për një krizë kushtetuese, në të cilën kontrollet dhe balancat janë zhdukur pasi qeveria ka marrë pushtetin e Gjykatës Kushtetuese.

Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, janë marrë masa për parandalimin e tij duke angazhuar edhe strukturat e policisë. Por edhe pse kjo metodë ka pasur sukses në disa raste, numri i ndjekjeve dhe dënimeve penale të nivelit të lartë ka qenë zhgënjyes. Bashkëpunimi mes policisë dhe Prokurorisë publike nuk është gjithmonë i qetë. Shqipëria duhet të vazhdojë më tej në ecurinë e saj në luftën kundër korrupsionit.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, vlen të përmendet se Shqipëria ka arritur rezultate në zbulimin dhe shkatërrimin e fermave të kanabisit dhe ndjekjen penale të pronarëve të tyre. Kjo gjë ka çuar në uljen e tregtisë së drogës: statistikat e qeverisë tregojnë se numri i rasteve të drogërave të kapura në Itali nëpërmjet Shqipërisë ka rënë me rreth 80% në vitin 2018. Shqipëria ka ulur shifrat për pastrimin e parave të krimit.

Parlamenti shqiptar ka miratuar ligje për mbrojtjen e të drejtave të pakicave etnike dhe seksuale në Shqipëri. Shqipëria ka bërë përparim në lidhje me lirinë e shprehjes, por duhet të rrisë transparencën e reklamave shtetërore në media. Ka hapësirë ​​për përmirësime të mëtejshme në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, duke përfshirë regjistrimin e pasurive të paluajtshme në një regjistër toke. Shqipëria ka miratuar legjislacion të ri për të mbrojtur këtë rezolute ligjore.

Shqipëria ka futur reforma në administratën publike. Progres është bërë në aspektin e transparencës dhe efikasitetit të shërbimeve publike. Përveç kësaj, raportuesi fitoi një përshtypje të funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Fakti që janë bërë lëvizje për të filluar reformën zgjedhore për të forcuar demokracinë është një shenjë e mirë. Megjithatë, raportuesi ka shqetësime në lidhje me marrëdhëniet e ndërprera midis qeverisë dhe partive opozitare.

Përfaqësuesit e zgjedhur të popullit nga dy partitë më të mëdha të opozitës kanë bojkotuar aktivitetet parlamentare dhe madje kanë dalë nga Parlamenti nën shenjë proteste kundër qeverisë, e cila sipas tyre e ka komprometuar rezultatin e zgjedhjeve dhe ka shkelur të drejtat e tyre parlamentare. Që atëherë, vendet e tyre janë zëvëndësuar nga anëtarët e tjerë të partive të tyre të gatshëm për të kryer detyrat e tyre parlamentare. Kjo situatë është një shenjë e marrëdhënieve të vështira politike në Shqipëri.

Pasi kjo është një çështje e brendshme politike, raportuesi nuk mund dhe nuk do të bëjë asnjë gjykim për këtë. Megjithatë, ndarja dhe mungesa e bashkëpunimit pengon funksionimin e demokracisë. Raportuesi shpreson se do të ketë pajtim të shpejtë midis opozitës dhe partive qeveritare, ndërsa ato lëvizin përpara në zhvillimin e një vizioni të përbashkët për qeverisjen dhe demokracinë në vendin e tyre.

Së fundi, raportuesi vëren se njerëzit me të cilët ai foli, argumentuan se kuadri i rreptë i negociatave për anëtarësim i ofron Shqipërisë mjetet dhe presionin e jashtëm të nevojshëm për të zhvilluar më tej sundimin demokratik të shtetit.

Hyrja në BE mund të jetë pika përfundimtare e këtij procesi, por kjo nuk duhet domosdoshmërisht të jetë kështu. Disa të tjerë ngritën argumentin gjeopolitik: perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në BE sjell stabilitet në rajon, dhe është në interes të BE-së, veçanërisht pasi fuqitë e huaja si Kina dhe Turqia dëshirojnë të rrisin ndikimin e tyre në Shqipëri dhe më pas në gjithë Evropën Juglindore.

U vu re se popullsia shqiptare e synon BE-në, dhe nëse perspektiva e anëtarësimit në BE shtyhet vazhdimisht, kjo krijon përshtypjen se BE nuk e dëshiron Shqipërinë. Kjo mund të ketë një efekt demotivues.

Disa të tjerë shprehën mendimin se reformat shqiptare janë të pakthyeshme, dhe se kjo gjë duhet që të ofronte siguri për hapjen e negociatave. Së fundi, u theksua në mënyrë të përsëritur se asnjë vendim nuk është bërë lidhur me pranimin e Shqipërisë në BE.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë