Ana e errët

Raporti i DIA-s: Mafia shqiptare si Cosa Nostra, kontrollon furnizimin

Drejtoria italiane e Antimafias ka dorëzuar në Parlamentin vendas raportin mbi aktivitetin kriminal për gjashtëmujorin e parë të 2019, në të cilin thotë se konfirmohet aktiviteti i lartë i krimit të organizuar shqiptar me lidhje ndërkombëtare.

“Krimi i organizuar shqiptar konfirmohet ndër më aktivët në Itali, me prani të grupeve të shpërndara dhe lidhje me grupe në Holandë, Belgjikë, Austri, Gjermani, Angli dhe Spanjë”, thuhet në këtë raport.

Sipas raportit të hartuar nga DIA (Direzione Investigativa Antimafia) është vënë re aftësia e mafias shqiptare për të ndërlidhur grupe të tjera të organizuara kriminale, jo vetëm të etnisë shqiptare dhe për më tepër thuhet se është e shpërndarë pothuajse në të gjithë territorin e Italisë, edhe në ato territore që konsideroheshin deri vonë si territore ekskluzive të mafias tradicionale italiane, si Ndrangheta, apo Camorra. Dy rajonet me përqëndrimin më të madh të mafias shqiptare, autoritetet italiane identifikojnë veriun e vendit dhe Puljan. Kjo e dyta, sipas raportit, shfrytëzohet si port për të trafikuar kryesisht drogë, ndërsa në veri për shpërndarjen e saj.

Një tjetër veçori që thekson raporti i italianëve është se mafia shqiptare ka konsoliduar kontaktet e saj me Amerikën Latine, duke siguruar jo vetëm transport të lëndëve narkotike për grupet e saj shpërndarëse, por edhe për mafian italiane, si Ndangheta dhe Camorra. Përveç kësaj, raporti thekson se Shqipëria vetë është një vend prodhues i hashashit.

“Duheet theksuar se Shqipëria është një vend prodhues i marijuanës, por edhe tranzit i heroinës që mbërrin nga Azia Qendrore dhe Afganistani me synim tregun Europia përmes asaj që njihet si “Rruga Ballkanike”. Hetime të shumëfishta kanë gjetur lidhjet mes grupeve mafioze puljeze me ato shqiptare, që favorizohen nga afërsia gjeografike”, thekson raporti.

Autoritetet italiane krahasojnë metodat e mafies shqiptare me ato të Cosa Nostras.

“Shqiptarët kanë treguar një aftësi kriminale të krahasueshme me atë të Cosa Nostras, me të cilët kanë patur bashkëpunimet e para në Itali. Në fakt, gjatë dorëzimit të një sasie droge mes familjeve Mazzei dhe Santapaola-Ercolano, trafikantët shqiptarë mbajtën peng dy siçilianë si garanci që do të merrnin pagesën për furnizimin e kryer”, thonë italianët.

Një tjetër veçori që theksohet në raport janë lidhjet e forta që grupet kriminale shqiptare ruajnë mes njëri-tjetrit në Itali dhe në vendet e tjera të Europës, kryesisht Holandë, Spanjë dhe Belgjikë, që u mundëson atyre rrugë të shumëfishta për importin e kokainës direkt nga Amerika Latine.

“Kjo bën që mafia shqiptare dhe ajo puljeze të zotërojnë një pjesë të rëndësishme të tregut të drogës në të gjithë Europën, aq më tepër që shqiptarët sigurojnë historikisht furnizimin me marijuanë nga vendi i origjinës”, thotë raporti i DIA-s.

Italianët theksojnë gjithashtu se paratë e siguruara nga shitja e hashashit, përveçse pastrohen në Shqipëri kryesisht në ndërtim dhe turizëm, investohen edhe për blerjen e heroinës nga Azia dhe shpesh edhe të kokainës, direkt nga Kolumbia, përmes kompanive që maskohen si importuese të frutave ekzotike.

Raporti vë theksin se grupet shqiptare mbeten edhe burimi kryesor i furnizimit me armë të grupeve të tjera mafioze që veprojnë në Itali dhe vende të tjera të Europës.

“Thjeshtësia e gjetjes së armëve përtej Adriatikut ka favorizuar një treg klandëstin drejt Italisë, ku portet kryesore janë në Puglja, përmes të cilëve armët hyjnë në territorin italian duke u fshehur në kontenierë, peshkarexha, apo thjesht me gomone”, thuhet në raport.

DIA kujton se për 2018, Camorra identifikohej si grupi kryesor që kontrollonte tregun e shpërndarjes së heroinës në Itali, ndërsa Ndrangheta-n si grupin kryesor të shpërndarjes së kokainës. Por, të dyja këto organizata mafioze italiane furnizoheshin kryesisht nga shqiptarët.

Raporti ndalet edhe tek i ashtuquajturi krim i rëndomtë. DIA thekson se shqiptarët integrohen shpejt në shoqërinë italiane, por sërish identifikon një numër të lartë krimesh kundër pasurisë, kryesisht vjedhje e grabitje, e deri tek përdhunimi.

Më Shumë