Rend dhe Ligj

Si vjen me konteinerë në Durrës e Tivar kokaina amerikano-latine

Krimi i organizuar, sidomos ai që vepron në trafikun e kokainës amerikano-latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian, po shfrytëzon dobësinë e institucioneve dhe mungesën e stabilitetit në rritje në Ballkanin Perëndimor duke përfituar miliona euro nga aktivitetet e paligjshme pa i hyrë gjemb në këmbë.

Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (The Global Initiative Against Transnational Organized Crime) publikoi së fundmi raportin “Zonat problematike të krimit të organizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor: Identifikimi dhe analizimi i pikave të dobëta në zona të caktuara në një kontekst rajonal”. Raporti identifikon Durrësin në Shqipëri dhe Tivarin në Malin e Zi si dy porta kryesore nga ku kalon kokaina e Amerikës së Jugut, që më pas shpërndahet nëpër Europën Qendrore dhe Perëndimore.

“Shqipëria dhe Mali i Zi janë pika të rëndësishme të hyrjes së kokainës që vjen nga Amerika Latine drejt Europës. Transporti bëhet kryesisht me kontenierë nëpër portet e Durrësit dhe Tivarit. Ngarkesat e drogës më pas shpërndahen nëpër Kosovë, Serbi dhe Bosnjë, nga ku trafkohen drejt Europës Qendrore. Gjithashtu, ka të dhëna se në këtë rajon bëhet edhe përpunimi i kokainës. Mbase më i rëndësishëm është fakti se grupe kriminale nga Ballkani janë të përfshirë në shpërndarjen e kokainës në Europën Perëndimore, veçanërisht në Austri, Greqi, Itali, Belgjikë dhe Holandë, Spanjë, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar. Shumica e krerëve të këtyre grupeve kriminale jetojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bëjnë edhe pastrimin e parave të pista pasi edhe i kanë këto mundësi”, thuhet në raport.

Shqipëria identifikohet edhe si burimi kryesor i kanabisit. Raporti thekson se grupe të krimit të organizuar jo vetëm që bëjnë trafikun e këtij produkti në vendet fqinje me BE-në, por bëjnë edhe shpërndarjen e drogës nëpër të gjithë rajonin.

“Megjithatë, duket se ka patur një rënie të madhe në kultivimin e kanabisit në Shqipëri, ndërsa janë shtuar ndjeshëm edhe kapjet e ngarkesave të drogës. Në vendet e Ballkanit perëndimor në përgjithësi, dhe veçanërisht në Shqipëri, kanabisi është droga që përdoret më gjerë, pasi mund të gjendet lehtë dhe lirë. Destinacioni kryesor për kanabisin shqiptar është Italia, dhe transporti bëhet kryesisht me skafe të shpejtë”, theksohet në raport.

Në përgjithësi, Ballkani Perëndimor konsiderohet një mjedis pjellor për lulëzimin e krimit të organizuar, por Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar përdor tre faktorë kryesorë për të identifikuar pikat strategjike që përdoren nga grupet kriminale në ushtrimin e aktiviteteve të tyre. Së pari është ekonomia e dobët, së dyti qeverisja dhe institucionet ligjzbatuese të dobëta dhe së treti pozicioni gjeografik.

Mbi këto kritere, në Shqipëri raporti gjen katër pika të tilla. Së pari është Durrësi. “Është një pikë hyrëse për kalimin e kontenierëve që vijnë me anije nga Amerika Latine. Ky port përdoret edhe nga kompanitë e trageteve që udhëtojnë rregullisht drejt Italisë. Drogat kalojnë për në Itali të fshehura në autobusë, makina dhe kamionë, ndërsa ngarkesat e mëdha të drogës arrijnë me kontenierë”, shkruhet në raport.

Së dyti është Vlora. “Afërsia me Italinë e ka bërë këtë zonë si pikë nisje për skafet e shpejta që përdoren për trafkim, veçanërisht për kanabis, që deri këto kohët e fundit kultivohej në sasi të mëdha në këtë krahinë. Së fundmi, ky qytet është tronditur nga një sërë vrasjesh (duke përfshirë edhe vrasjen e kreut të një grupi kriminal, Edision Harizaj në nëntor 2018), që duket se kanë ardhur si rezultat i luftës për kontrollin e tregjeve jashtë Shqipërisë, si dhe vrasje për hakmarrje midis grupeve kriminale. Mendohet se aktivitetet kriminale në Vlorë dhe rethina përftojnë edhe nga bashkëpunimi midis kriminelëve dhe policisë, si dhe nga mbrojtja e disa politikanëve”, vëren Global Initiative.

Pikë e nxehtë konsiderohet edhe Shkodra. “Grupet kriminale në qytet (Shkodër) janë të përfshira në trafkimin e qënieve njerëzore, para me fajde me interesa të larta, vënia gjobash, si dhe trafikimin e drogave dhe emigrantëve. Ka të paktën katër klane të fuqishme kriminale në këtë qytet dhe shumica e pjesëtarëve të këtyre grupeve kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin. Këto familje kriminale të stilit mafioz mendohet se kanë lidhje të forta me grupe kriminale në zona të tjera të vendit, si dhe në Kosovë dhe Mal të Zi. Ato mendohet se janë të lidhura me grupe të diasporës në Europën Perëndimore, si dhe me politikanë e parti politike. Nga fundi i vitit 2018, pesë persona u vranë dhe dy u rrëmbyen në Shkodër, duke shënuar edhe valën më të fundit të dhunës në këtë qytet”, kujton raporti.

Rrugët ballkanike sipas llojeve të trafikut të paligjshëm. Burimi: Global Initiative Against Transnational Organized Crime (G.I)

Zona e katërt është Saranda, megjithëse nuk identifikohet i njëjti aktivitet kriminal si në Durrës, Vlorë dhe Shkodër. “Trafkantët përdorin edhe mushka për të kaluar drogë (kryesisht kanabis) përtej kufrit në Greqi. Burime të ndryshme thonë për GI, se policia vendore dhe zyrtarët e policisë kufitare e dinë se cilët janë trafkantët kryesorë, por kanë marrë urdhëra nga shefat e tyre që të mos i ndalojnë. Trafkantët mendohet se kalojnë drogë, kryesisht heroinë dhe kokainë nga kufri në Qafë-Botë, ku mungojnë pajisjet skanuese. Ka zëra se pjesa më e madhe e këtyre drogave shkon drejt portit grek të Gumenicës dhe më pas i drejtohet Italisë së Jugut. Në janar 2019, një nga krerët e krimit në këtë krahinë, Klement Balili, iu dorëzua policisë. Balili kërkohej që prej tre vjetësh, pasi akuzohej për trafkimin e 700 kilogramëve kanabis për në Greqi”, thekson raporti.

Nyjet kryesore te trafikut. Burimi: Global Initiative

“GI” thotë se shpesh vërehet një marrëdhënie e ngrohtë mes elitave politike dhe ekonomike me krimin.

“Në ndryshim nga disa vende të tjera, ku grupet kriminale veprojnë si parazitë, duke përftuar nga ato që i jep shteti, në shumë vende të Ballkanit Perëndimor lidhja ndërmjet strukturave të shtetit dhe grupeve kriminale i ngjan më shumë një partneriteti. Edhe Komisioni Europian, që zakonisht përdor gjuhë diplomatike në deklaratat e veta, tha tani së fundmi se vendet e Ballkanit perëndimor “tregojnë shenja të qarta se shteti është kapur (nga krimi), duke përfshirë edhe lidhje me krimin e organizuar, korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe ndërthurje të theksuar të interesave publike dhe private”, thotë GI.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë